2010-10-11 17:32:35

Papa: forca anonime e kërcënojnë botën.


(11.10.2010 RV)Bota e sotme kërcënohet nga ‘zota të rremë’. Këtë theksoi sot paradite Papa Benedikti XVI, duke hapur, me një meditim, punimet e Sinodit për Lindjen e Mesme. Mendojmë, theksoi Ati i Shenjtë, për fuqitë e mëdha të historisë së sotme; mendojmë për kapitalet e paemër, që skllavërojnë, që nuk janë më në shërbim të njerëzve, por të një pushteti anonim, i cili i shtyp, i trondit e edhe i masakron. Për Papën, ky është pushtet shkatrrimtar; pushtet që nuk e ndërton, por e shemb botën. Është fuqi e pamëshirë, që peshon padurueshëm mbi kurrizin e përkulur të njerëzimit të sotëm.
Duke vijuar meditimin, Papa Racinger kujtoi kohët e para të krishterimit, kur gjaku i martirëve i shembi ‘zotat e rremë’ nga fronet. Ati i Shenjtë nënvizoi me forcë se edhe sot është i nevojshëm gjaku i martirëve, dhimbja e Kishës Mëmë, që vijon t’i shembë idhujt, që nuk i pranon ‘zotat e rremë’, që e shndërron botën.
Papa kujtoi se një nga idhujt e rremë në shoqërinë e sotme, është mënyra e jetesës e propaganduar nga opinioni publik, i cili nuk i përfill më fare vlerat, si pastërtia e martesa, ndërsa u falet antivlerave. Ndërmjet tyre, droga, e cila si egërsirë, e mbërthen mbarë tokën me kthetrat e saj vdekjeprurëse dhe e kthen në gërmadhë. Është një nga ‘zotat e rremë’, që duhen rrokullisur nga piedestalet.
Papa e vijoi meditimin me një paralelizëm figurativ ndërmjet fillimit të këtij Sinodi e hapjes së Koncilit II të Vatikanit, nga Gjoni XXIII, më 11 tetor 1962. Më pas Shenjtëria e Tij theksoi se duhet të bëhet realitet kumtimi i Shën Palit, në Letrën drejtuar Efezianëve: “Pushtetet shemben e bëhen nënshtetas të një Hyji të vetëm, Jezu Krishtit. Zoti e vuri çdo gjë nën këmbët e tija e Atë e lartoi mbi çdo gjë, mbi çdo emër, në këtë botë e edhe në atë, që do të vijë!”. E edhe ne, ende mbi këtë tokë, duhet të vijojmë me ngulm luftën kundër “zotave të rremë’, që e shkatërrojnë botën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.