2010-10-11 16:43:44

Nobelin për Ekonomi e fitojnë 2 shkencëtarë për teoritë mbi tregun e punës


Nobelin për Ekonomi, e fituan dy amerikanë Peter Arthur Diamond e Dale Thomas Mortebsen dhe anglo-qiprioti Christopher Antoniou Pissarides, me motivacion për teoritë që tre ekonomistët kanë zhvilluar mbi kërkesën për punë dhe mbi papunësinë. Në një deklaratë, Komiteti i Nobelit shpjegon se tre ekspertët janë orvatur të japin përgjigjen në pyetjen “pse kaq shumë njerëz mbesin pa punë, kur, në të njëjtën kohë, ekzistojnë oferta të shumta për punësim?”. E po kështu edhe në një pyetje tjetër: “Se si mund të ndikojnë politikat ekonomike mbi papunësinë?”. “Në shumë tregje – shpjegon motivacioni i çmimit Nobel – kërkesa dhe oferta e punës jo gjithmonë takohen lehtësisht e kjo ndodh edhe në tregun e punës” për shumë arsye. Teoritë që këta shkencëtarë i zbuluan mund të shkojnë përtej tregut të punës, sepse ndihmojnë të kuptohet se si ndikojnë politikat ekonomike në papunësinë.
Me ekonomi përfundon edhe java e shpalljeve të fituesve të këtij çmimi prestigjioz për vitin 2010. Tashmë janë dhënë çmimet për mjekësi, fizikë, kimi, literaturë dhe për paqe. Në dallim nga çmimet tjera, që ishin krijuar më herët, çmimi për ekonomi është themeluar në vitin 1968 nga Banka Qendrore e Suedisë, në shenjë të përkujtimit të industrialistit suedez, Alfred Nobel. Çmimi prej 1.5 milionë dollarësh, çdo vit jepet në ceremoninë, që mbahet më 10 dhjetor, në ditën e vdekjes së Alfred Nobelit, në vitin 1896. Çmimi Nobel për Paqe jepet në Oslo të Norvegjisë, ndërsa çmimet e tjera, në Stokholm.







All the contents on this site are copyrighted ©.