2010-10-11 16:35:21

Hilari Klinton në Kosovë, Serbi e Bosnjë


(11.10.2010 RV)Fillon sot në Evropë e në Ballkan, turneu i Sekretares amerikane të shtetit, Hilari Klinton, e cila do të kalojë edhe nga Prishtina, Sarajeva e Beogradi. Ndër temat, në qendër të vizitës, integrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian dhe çështja e Kosovës. Pikërisht mbi rëndësinë e këtij turneu, ndalet në mikrofonin tonë, drejtori i gazetës on-line “Observatori i Ballkanit dhe i Kaukazit”, Luka Xanoni:
Pa dyshim, ky turne është konfirmimi se SHBA-të kanë interesa në zonë. Jo rastësisht, Hilari Klinton shkon në Bosnjë, në Kosovë e në Serbi, vende, që rezultojnë ende me probleme. Kosova ka akoma problemin e statusit me Serbinë. Hilari Klinton do të përpiqet, pavarësisht nga kriza politike aktuale në Kosovë, pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu, t’i ulë në një tryezë bisedimesh – siç parashikohej – Serbinë e Kosovën. Edhe në Bosnjë sapo janë bërë zgjedhjet e Hilari Klinton do të mundohet ta shtyjë qeverinë të bëjë reformat kushtetuese, absolutisht të nevojshme.
A mund të konsiderohet prania e Klintonit në Ballkan si tregues i afrimit të Beogradit me qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve?
Janë marrëdhënie, që herë shkojnë mirë e herë keq: Beogradi herë i shkel syrin Rusisë e herë tregon interes të veçantë për Bashkimin Evropian, pasi ajo është rruga e Serbisë. Këtu hyjnë edhe marrëdhëniet me SHBA-të, një nga katër shtyllat e politikës së jashtme serbe.
Ç’peshë mund të ketë kjo vizitë në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit?
Kjo është çështja! Turneu i Hilari Klintonit bëhet një vit e gjysëm pas vizitës së Xho Bajdenit në Ballkan, në maj të vitit 2009. Edhe Xho Bajden pati provuar ta shtynte Beogradin që, për shembull, të ndikonte pozitivisht mbi serbët e Bosnjës, në mënyrë që të forcohej shteti qendror e të bëheshin reformat kushtetuese. Nuk ia arriti qëllimit e sigurisht, Klintoni do të përpiqet të përforcojë aspektet ideologjike të marrëdhënieve, në përpjekjen për të zhbllokuar situatën. Natyrisht, SHBA-të e kanë mirë parasysh rrugën e integrimit evropian të vendeve ballkanike, që shërben për paqtimin e krejt rajonit.
A mund të kthehet njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë në kusht për mbështetjen e Uashingtonit në rrugën e Beogradit drejt Bashkimit Evropian?
Askush nuk i kërkon hapur apo zyrtarisht Serbisë të njohë Kosovën. Por, mbi bazën e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duhet filluar dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë, që e kanë premtuar të dyja shtetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.