2010-10-11 11:59:32

Ati i Shenjtë Benedikti XVI hapi sot në Vatikan punimet e Asamblesë së Veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme.


Punimet e Sinodit do të zhvillohen deri më datën 24 tetor e 185 Etër sinodal, mes të cilëve 9 patriarkë, 19 kardinaj, 65 kryeipeshkvij, 10 kryeipeshkvij titullar, që përfaqësojnë 5.707.000 katolikë të pranishëm në 18 Vende të Lindjes së Mesme, do të flasin mbi temën: “Kisha Katolike në Lindje të Mesme: bashkimi e dëshmia. “Turma e besimtarëve kishte një zemër e një shpirt të vetëm (Vp 4,32)”.
Në Sinod marrin pjesë si Delegatë vëllazëror, përfaqësues të 13 Kishave e bashkësive të krishtera historikisht mirë të rrënjosura në Lindje të Mesme. “Prania e tyre – tha sekretari i Sinodit të ipeshkvijve imzot Eteroviç – është shenjë e qartë e vullnetit për të ecur përpara në dialogun ekumenik që ka arritur shumë rezultate pozitive e posaçërisht në këtë rajon”.
“Lindja e Mesme është shtëpia edhe e vëllezërve e motrave të fesë hebraike e islame”, theksoi imzot Eteroviç duke njoftuar për praninë e përfaqësuesve të hebrenjve e të islamit sunitë e shiitë në Sinod, si rabini David Rosen, Drejtor i Departamentit për Çështjet Ndërfetare të American Jewish Committee, si suniti Muhammad al-Sammak, Këshilltar politik i Myftiut të Madh të Libanit e si shiiti Ayatollah Seyed Mostafa Mohaghegh Ahmadabadi, Anëtar i Akademisë Iraniane të Shkencave.
Ndër gjuhët zyrtare të këtij Takimi Sinodal, në të cilat do të përkthehen të gjitha fjalimet e ndërhyrjet, për herë të parë do të jetë edhe gjuha arabe – që flitet nga 6 Kisha Lindore Katolike, Kisha Kopte, Kisha Siriane, Greko-Melkite, Maronite, Kaldeje dhe Armene - e hebraike.







All the contents on this site are copyrighted ©.