2010-10-11 19:01:45

38 vjet më parë Gjoni XXIII përuronte Koncilin II të Vatikanit-dje Benedikti XVI, Sinodin për Lindjen e Mesme.


(11.10.2010 RV)Më 11 tetor 1962, 38 vjet më parë, Papa Gjoni XXIII përuronte Koncilin II të Vatikanit. Asokohe më 11 tetor kremtohej festa e Amësisë hyjnore të Marisë e, me këtë gjest, me këtë datë, Papa Gjoni XXIII dëshironte ta lëshonte gjithë Koncilin në dorën amtare, në zemrën amtare të Zojës së Bekuar.
Duke e nisur më 11 tetor Sinodin, me të gjitha problemet, me të gjitha sfidat, me të gjitha shpresat, Benedikti XVI ia besoi rishtas ngjarjen e madhe kishtare Zojës, Nënës së Zotit.
Paralelizëm i gjetur, që na kujton Marinë në Betlehem, duke i dhuruar botës Shëlbuesin; pastaj, në mes të dishepujve, në sa lind Kisha, Korpi i Krishtit. Kjo lindje e dyfishtë, është lindja e vetme e Krishtit totus; Krishtit, që rrok botën e ne të gjithë.
Lindja në Betlehem-lindja në Çenakull. Lindja e Krishtit Fëmijë, lindja e Korpit të Krishtit, e Kishës. Janë dy ngjarje apo një ngjarje e vetme? Gjithsesi, ndërmjet tyre shikojmë vërtet Kryqin e Ringjalljen. Sepse vetëm përmes Kryqit mund të ecim drejt Krishtit Zot e Njeri, drejt Korpit të tij të ngjallur, drejt universalizimit të qenies së tij në unitetin e Kishës. E kështu, duke pasur parasysh se pa rënien e farës së grurit në tokë, nuk mund të flitet për korrje të begata, nga Zoti i shporuar mbi Kryq, arrihet në universalitetin e dishepujve të Zotit, bashkuar në Korpin e Tij, të vdekur e të ringjallur.
Kështu, në këtë çast, mund të hedhim vështrimin mbi Psalmin e 81-të, në të cilin shikojmë qartë një pjesë të këtij procesi. Hyji është ndërmjet hyjnive - që në Izrael shikohen ende si perëndi. Po në këtë Psalm, në një vegim profetik, shihet shfuqizimi i hyjnive. Ata, që dukeshin zota, zota nuk janë e e humbasin karakterin e tyre hyjnor, bien përdhe. Është ora e shembjes së idhujve! Është pocesi i historisë së fesë, që nis nga Besëlidhja e Vjetër, vijon me të Renë e me ngjarjet e spikatura të historisë së Kishës në shekuj. Ndërmjet tyre, Koncili II i Vatikanit e edhe ky Sinod, që i kushtohet një realiteti tejet të rëndësishëm: pranisë së të krishterëve në tokën, ku nisi shembja e idhujve, në Betlehem, ku lindi Krishti e në Çenakull, ku nisi jetën Kisha, Korpi i Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.