2010-10-08 16:40:05

Të dielën në Vatikan hapen punimet e Sinodit të Veçantë të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme


Të dielën në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan do të hapen punimet e Asamblesë së Veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Ky Sinod është i thirrur të reflektojë mbi temën:
“Turma e besimtarëve kishte një zemër e një shpirt të vetëm (Vp 4,32)”. Lajmi i thirrjes së sinodit u dha nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI më 19 shtator të vitit 2009, gjatë takimit me Patriarkët e Kryeipeshkvijtë e Mëdhenj të Lindjes, njoftim që shënoi nisjen e punës përgatitore për takimin e nivelit të lartë, me mbajtjen e mbledhjes së parë të Këshillit Parasinodal, vetëm pak ditë pas njoftimit që dha Papa.
Në vazhdim, më 19 janar 2010, u bë paraqitja e Lineamenta, gjatë një konference shtypi mbajtur nga sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, kryeipeshkvi imzot Nikola Eteroviç e zëvendëssekretari, imzot Fortunato Frezza, të cilët paraqiten strukturën e dokumentit të përbërë prej tre kapitujsh: “Kisha katolike në Lindje të Mesme”, “Bashkimi kishtar”, dhe “Dëshmia e krishterë”. Secili kapitull shoqërohej edhe me një pyetësor prej 32 pikash.
Duke u nisur nga Pyetësori i Lineamenta, anëtarët e Këshillit Sinodal për Lindjen e Mesme përpunuan dokumentin Instrumentum Laboris, që është gati në katër gjuhë: arabisht, frëngjisht, anglisht e italisht, teksti u botua më 6 qershor 20010 dhe iu dorëzua Atit të Shenjtë Benediktit XVI në të njëjtën ditë – gjatë Udhëtimit Apostolik në Cipro – në liturgjinë e mbajtur në Nikozi me Patriarkët e Ipeshkvijtë katolikë të Lindjes së Mesme.
Siç përmendem më parë, Sinodi për Lindjen e Mesme u thirr nga Papa dhe ka ngjallur shumë interes për arsye se çështja e Lindjes së mesme ka edhe një lloj jehone gjeopolitike, por Kisha nuk ka si synim t’i zgjidhë problemet politike të kësaj zone, ndonëse ipeshkvijtë e krishterë që do të jenë të pranishëm në Sinod e përjetojnë drejtpërsëdrejti ndikimin e krizës poltike që kanë probleme rajonale edhe në jetën e tyre si bashkësi të krishtera.
Në rend të parë, siç tregon edhe vetë tema e zgjedhur, Asambleja e Sinodit ka si qëllim që Kishat e ritit lindor të bëhen të njohura në Lindje të Mesme së bashku me Kishën e ritit latin, përmes shkëmbimit të ndërsjellë të përvojës dhe duke theksuar lidhjen me Papën e Selinë e Shenjtë. Në këtë mënyrë Kishat dëshirojnë të nxisin një interes të gjallë e afatgjatë për gjendjen e Kishave lindore, interes që nuk duhet të marrë fund menjëherë pas përfundimit të Sinodit. Në vende të Lindjes së Mesme është shumë vështirë të flitet për misionin fetare e kishtar, në kuptimin tradicional të fjalës, meqë kjo veprimtari do të perceptohej si proselitizëm dhe si pasojë do të refuzohej. Megjithatë, Kishat në Lindje të Mesme nuk mund të heqin dorë nga natyra e vet misionare, e kështu, ato që flasin më shumë e më rrjedhshëm, shpeshherë, janë jeta dhe dëshmia e vetë besimtarëve të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.