Çelësi i fjalëve të Kishës: domethënia e “bekimit” sipas Biblës
Vazhdojmë ciklin tonë kushtuar fjalëve të fesë së krishterë, me shpjegimin e “bekimit”
të krishterë. Rrënja hebraike e fjalës “bekim” (brk) na çon çuditërisht drejt
“gjurit”, jo në kuptimin e gjunjëzimit, por për të shprehur gjininë e atij që bekonte.
Në fakt, bekimi hyjnor në një shoqëri agrare e rurale shfaqej sidomos në fekonditetin
e familjes, të grigjës e të prodhimit, siç është bekimi i Izakut për Jakobin në Librin
e Zanafillës: “Të dhëntë Perëndia, bashkë me vesën e qiellit e tokë të pëlleshme,
begati drithi e vere” (Zan 27,28). Në Bibël mund të dallojmë kryesisht dy lloje
bekimesh. I pari quhet nga studiuesit “kushtetues”, pasi vjen nga Zoti dhe “krijon”
një person apo një popull, duke i dhënë vokacionin e misionin. Mund të përmendim bekimin
e Abrahamit e të brezave pas tij. Një shembull i shkëlqyeshëm bekimi kushtetues ritual
është ai që tregohet në Librin e Numrave dhe që u besohet meshtarëve, të cilët duhet
ta bekojnë popullin kështu: “Zoti të bekoftë e të ruajtë! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën
e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhëntë
paqen”. Fytyra hyjnore që ndrit në buzëqeshje zbulon edhe një përmasë “morale” të
bekimit: në fakt, Zoti i dhuron bekimin e vet atij që është besnik dhe i drejtë. Prandaj,
bekimi i Zotit duhet merituar e varet edhe nga qëndrimet tona personale apo ato të
bashkësisë, siç i kujton Moisiu Izraelit: “Ja, po ju vë para sot bekimin dhe mallkimin:
bekimin, nëse do t’i dëgjoni urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj” (Lp 11,26-27). Ekziston
edhe një lloj tjetër bekimi, i cili përkufizohet si “deklarues”: ai vjen nga njeriu
që “deklaron” fenë e vet dhe i thur lavde Hyjit. Kështu, te psalmet gjendet shpesh
fraza “Bekoje Zotin, o shpirti im”. Edhe Jezu Krishti, i cili nganjëherë i bekon njerëzit
me bekimin “kushtetues”, lutet duke thënë: “Të bekoj, o Atë…”, siç dëshmon Ungjilli
sipas Mateut. Po kështu bën edhe shën Pali Apostull, duke na ofruar shembuj të mrekullueshëm
bekimesh “deklaruese” që i drejtohen “Hyjit, Atit të Zotit tonë Jezu Krisht”.