Sot me 7 tetor Kisha katolike kremton festën e Zojës Rruzare. Një festë kjo që është
themeluar nga Shën Piu V, Papë për të përkujtuar fitoren e kombeve të krishtera në
vitin 1571 në Lepanto kundër flotës turko-islame. Pra sot shenjti dhe kujtesa historike
e ditës bashkohen në një duke na kujtuar të kremten e Zojës Rruzare dhe betejën e
Lepantos. Siç përmendem më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin
e Patrasit dhe Korintit, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor
arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274
anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha, ndërsa komandanti
mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në
gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu Papën Piu V të caktonte një festë falënderimi
e përkujtimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores". Urata e Rruzares Shenjte lindi
në vitin 1200 me Shën Domenikun Guzman. Duke qenë shumë i devotshëm ndaj Nënës së
Hyjit, themeluesi i Urdhrit të Predikatarëve (Domenikanëve), për t’i ndihmuar të varfrit
ta jetojnë fenë në Krishtin, shën Domeniku mësoi të meditoheshin misteret e Mishërimit
të Krishtit duke recituar lutjen e të Falemi Marisë. Rruzarja është pra një uratë
për gjithë, e thjeshtë por dhe e thellë. “Rruzarja është lutje kundruese së cilës
të gjithë mund t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë, të ditur e më
pak të ditur. Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar
me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell
si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes,
kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë” (nga homelia
e Benediktit XVI në Meshën në Pompei, 19 tetor 2008) Kjo festë më 1716 u shtri
në mbarë Kishën universale dhe u caktua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu
X, në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të
gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij
të Virgjër. Nga Shenjtëroret e shumta që popujt i kanë lartuar në të katër anët
e botës, Zoja Rruzare u drejton të gjithë besimtarëve ftesën ta njohin nga afër dhe
ta kumtojnë Krishtin, në një shoqëri që po largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore
të krishtera. Rruzarja, pra, është urata më e përzemërt e besimtarëve. Një uratë
e mrekullueshme! E mrekullueshme në thjeshtësinë dhe në thellësinë e saj. Gjatë kësaj
lutjeje, ne përsërisim shumë herë ato fjalë që Virgjëra Mari dëgjoi nga Kryengjëlli
Gabriel e nga kushërira e saj Elizabeta. Me këto fjalë bashkohet e gjithë Kisha.
Mund të thuhet se Rruzarja është në një farë mënyre një lutje e koment i kapitullit
të fundit të Kushtetutës ‘Lumen Gentium’ – ‘Drita e Popujve’ të Koncilit Vatikanas
II, kapitull që flet për praninë e mrekullueshme të Nënës së Zotit në Misterin e Krishtit
dhe të Kishës. E në fakt, pas fjalëve "Të Falemi Mari" shohim të kalojnë përpara syve
të shpirtit ngjarjet kryesore të jetës së Krishtit. Këto ngjarje plotësohen së bashku
tek misteret e gëzimit, të vuajtjes dhe të lavdisë e na bashkojnë me Jezusin përmes
- mund të themi- zemrës së Nënës së Tij. Në të njëjtën kohë, zemra jonë njerëzore
mund të përmbledhë në këto dhjetëshe të Rruzares Shenjte të gjitha ngjarjet që përbëjnë
jetën e individit, të familjes, të kombit, të Kishës dhe të njerëzimit. Ngjarje personale
të jetës sonë por edhe të asaj të të afërmit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që
i kemi më afër, të atyre që i kemi më për zemër. Kështu me Rruzaren Shenjte rreh edhe
ritmi i jetës sonë." (Maria I, 215-216.) Rruzarja, pra, është libri i mrekullueshëm
që të gjithë mund ta lexojnë. Libër që ka vetëm 20 faqe; 20 mistere të fesë së krishterë
shkruar nga autorë të pavdekshëm që janë Jezusi dhe Maria, të cilët tregojnë jetën
e tyre në atë mënyrë që të gjithë e secili prej nesh të mund të ri-jetojë, e të mund
t'i imitojë në jetën e përditshme. Rruzarja është gjetje e madhe e Marisë për ta
mbajtur njerëzimin afër vetes e të bashkuar në një familje të vetme në Krishtin. Vet
personalisht, Virgjëra Mari u denjua të na mësojë e porositë këtë uratë të përshpirtshme
të Rruzares ta lusim çdo ditë. Mos të harrojmë që mjeti e udha më e mirë dhe më e
sigurt që na mundëson takimin e bashkimin tonë me Zotit, është pa dyshim, urata e
Rruzares Shenjte.