2010-10-07 17:31:31

Imzot Çulikat në OKB: burimet financiare të armatimeve të shkojnë
për luftën kundër varfërisë.


(07.10.2010 RV)“Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë mbi vetë plotësisht përgjegjësinë e luftës kundër varfërisë.” Kjo është thirrja që imzot Fransis Çulikat bëri këto ditë në fjalën e tij mbajtur në Pallatin e Qelqtë në Nju Jork, mbi përdorimin e burimeve në favor të drejtave të njeriut dhe të zhvillimit. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë Shenjte pranë OKB-së vuri në dukje se nga 2007-2009, pavarësisht nga kriza ekonomike, shpenzimet për armatimet janë rritur me 15% në nivel botëror. Është kjo një e dhënë që shqetëson, po qe se kemi parasysh se 1,4 miliard vetë në botë jetojnë me më pak se 1.25 dollarë në ditë. Prandaj, vuri në dukje prelati, “mposhtja e varfërisë nuk është diçka e pamundur nëse kombet ua japin fondet e destinuara për armë që sjellin shkatërrim atyre që promovojnë jetën dhe zhvillimin.”
Në veçanti, pohoi prelati, duhet të luftohen ato programe zhvillimi që përfshijnë abortin. Më tej, imzot Çulikat vuri në dukje se liria fetare është një e drejtë themelore dhe se duhet dënuar të gjitha format e intolerancës fetare. Prandaj, përfundoi Imzot Çulikat, nuk mjafton që të shtohen burimet financiare, por duhet rritur edhe respekti për besimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.