2010-10-07 16:55:51

Benedikti XVI gazetarëve katolikë: ndihmojeni njeriun bashkëkohor të orientohet drejt Krishtit


Benedikti XVI gazetarëve katolikë: Zoti të jetë në qendër të vlerave të tuaja dëshmuar me pasion për të vërtetën.
“Ndihmojeni njeriun e kohës sonë të drejtohet nga Krishti”. Kështu iu drejtua Papa Benedikti XVI pjesëmarrësve në Kongresin Botëror të Shtypit Katolik, ku morën pjesë përfaqësues nga 85 vende, pritur sot paradite në audiencë në Vatikan. Papa i nxiti gazetarët katolikë ta vendosin Zotin gjithnjë e më shumë në qendër të vlerave të vërteta dhe ta dëshmojnë të vërtetën me pasion dhe kompetencë. Gjithashtu, Ati i Shenjtë iu tërhoqi vëmendjen të pranishëmve se ekziston rreziku i ngatërrimit të realitetit me virtualitetin, gjë që mund të favorizohet nga teknologjitë e reja të komunikimit. Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i dikasterit për Komunikimet Shoqërore që e organizoi kongresin, kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli:
Detyra e juaj, të dashur veprimtarë të shtypit katolik, është të ndihmoni njeriun e sotëm të drejtohet nga Krishti, Shpëtimtari i vetëm, dhe ta mbani ndezur nëpër botë, pishtarin e shpresës, për ta jetuar denjësisht të sotmen dhe për ta ndërtuar si duhet të ardhmen. Për këtë ju bëj thirrje ta përtërini papushim zgjedhjen tuaj personale në jetë për Krishtin, duke u frymëzuar nga ato burime shpirtërore që mendësia mondane nënvleftëson, e që përkundrazi, janë të nevojshme, madje të domosdoshme.”
Papa përsëriti se përballë shndërrimeve aktuale të thella në botën e komunikimit, shtypi katolik duhet të impenjohet ditë për ditë të “ecë në rrugën kryesore të së vërtetës.”:
“Kërkimi i së vërtetës duhet të kryhet nga gazetarët katolikë me mendje dhe zemër të pasionuar, por edhe me profesionalizmin e veprimtarëve kompetentë dhe të pajisur me mjetet e përshtatshme dhe efikase. Kjo bëhet akoma më e rëndësishme, në këto çaste historike, por që i kërkojnë edhe vetë personit të gazetarit, si ndërmjetësues i burimeve të lajmeve, të kryejë një shndërrim të thellë.”
Më pas Ati i Shenjtë Racinger, u ndal tek pesha gjithnjë e më e madhe që ka figura, pamjet, pra, në botën e komunikimit. Figura, tha ai, “mund edhe të bëhet e pavarur nga realiteti, mund të krijojë edhe një jetë virtuale, me pasoja të ndryshme, e para nga të cilat është moskokëçarja përballë së vërtetës.” Po ashtu Papa nënvizoi se teknologjitë e reja, bashkë me përparimin që sjellin mund ta bëjnë të vërtetën të shkëmbyeshme me gënjeshtrën, mund të na shtyjnë të ngatërrojmë realitetin me virtualitetin”:RealAudioMP3
“Kapja e një lajmi, qoftë i gëzuar apo i hidhërueshëm, mund të konsumohet si një shfaqje artistike dhe jo si një rast për të reflektuar. Kërkimi i rrugëve për promovimin autentik të njeriut kalon atëherë në plan të dytë, sepse ngjarja paraqitet kryesisht për të ngjallur emocione. Këto tipare tingëllojnë si kambanë alarmi: na ftojnë ta konsiderojmë rrezikun se virtualja mund ta shtyjë tutje realitetin dhe mund të na plogështojë në kërkimin e së vërtetës.”
Në këtë kontekst, pra, shtypi katolik është i thirrur “në një mënyrë të re, t’i shprehë deri në fund fuqitë e tij dhe ta dëshmojë me fakte misionin e tij prej të cilit nuk mund të heqë dorë. Papa pohoi më pas se për Kishën “mjeti dhe lajmi përputhen plotësisht.”: Biri i Zotit, në fakt, është në të njëjtën kohë “mesazh i shpëtimit dhe mjet përmes të cilit shpëtimi realizohet.” Është një realitet, tha, “që mund ta shohim të gjithë” edhe ata që “ndonëse janë protagonistë në kompleksitetin e botës, janë të aftë ta ruajnë ndershmërinë intelektuale individuale, tipike për “të vegjlit” e Ungjillit. Në përfundim Papa ripohoi se sa e rëndësishme është për Kishën sot sfida e komunikimit”:
“Të krishterët nuk mund ta anashkalojnë krizën e fesë që përjeton shoqëria, ose thjeshtë të besojnë se trashëgimia e vlerave që na janë transmetuar përgjatë shekujve të kaluar të mund të vazhdojë të mbrujë të ardhmen e familjes njerëzore. Ideja se mund të jetohet sikur Zoti të mos ekzistonte u pa se është e gënjeshtërt: Përkundrazi, bota ka nevojë të jetojë “sikur Zoti të ekzistonte” edhe atëherë kur nuk ka forcën të besojë, përndryshe, bota do të prodhojë vetëm një “njerëzim çnjerëzor.”
I pranishëm në audiencën me Papën Benedikti XVI ishte edhe meshtari Dom Gjergj Meta që këto ditë mori pjesë në Kongresin Botëror të shtypit katolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.