2010-10-06 13:00:04

Papa në audiencën e përgjithshme: Shën Gertruda e Heftës, një gjermane e madhe që na mëson si ta duam Kishën


“Një nga mistiket më të famshme, e vetmja grua në Gjermani që quhet “e Madhe”, për hir të bagazhit të saj kulturor dhe ungjillor, Shën Gertruda e Heftës, me jetën dhe mendimin e saj ndikoi në mënyrë të veçantë në përshpirtërinë e krishterë”. Të marrim shembull prej saj për të mësuar “si ta duam me përvuajtëri e fe Krishtin e Kishën e tij, si ta kultivojmë lutjen tonë personale, si të marrim pjesë me besnikëri në meshën shenjte e si ta jetojmë intensivisht Liturgjinë për të ushqyer shpirtin”. Kështu tha Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të sotme në Vatikan, duke paraqitur këtë “grua të jashtëzakonshme, me talente të veçanta të natyrshme e me hir të jashtëzakonshëm, me përvuajtëri të thellë e zell plot zjarr për shpëtimin e të afërmit, në bashkim intim me Zotin dhe e gatshme të ndihmojë nevojtarët”. Në shekullin e 13-të, kujtoi Papa, Gertruda shkëlqeu për “pasurinë e përshpirtërisë së saj, jo vetëm të botës së vet mungare, por edhe e mbi të gjitha të asaj biblike, liturgjike, patristike e benedektine, më një notë krejt personale e me efikasitet të madh komunikativ”.
Biografia e shën Gertrudës, shtoi Ati i Shenjtë, na tregon “dy drejtime të atij, që mund ta quajmë ‘kthimi’ i saj i veçantë: ai i studimeve, me kalimin nga studimet humaniste profane në ato teologjike, si edhe ai i jetës mungare, me kalimin nga jeta, që ajo vetë e quan ‘neglizhente’ në jetën e lutjes intensive, mistike, me zjarr të jashtëzakonshëm misionar”.
E në këtë mënyrë, Gertruda shndërron gjithçka në shërbim. I përkushtohet shkrimit e përhapjes së të vërtetave të fesë me qartësi e thjeshtësi, hir e mënyra bindëse, duke i shërbyer me dashuri e besnikëri Kishës, aq sa u bë e dobishme dhe e pëlqyer nga teologë e njerëz të mençur”. Përveç kësaj, “me fjalë e me shembullin e saj zgjoi tek të tjerët pasion të madh” dhe “lutjeve e pendesave të rregullës murgare i shtoi të tjera e një përkushtim të tillë e një braktisje aq plot besim në duart e Zotit, sa zgjoi tek ata që e takonin vetëdijen se ishin në praninë e Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.