Papa Gjon Pali II nga Otranto më 1980 dënon persekutimin e besimtarëve në Shqipërinë
komuniste
Ati i Shenjtë Gjon Pali II më 1980 nga Otranto kujtoi persekutimin e egër të komunizmit
në Shqipëri Më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali
II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij
të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të
katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë e Meshës Shenjte
të atij 5 tetori, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa Gjon Pali
II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund të mos e
hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi
i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë,
rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”. “Përveç tyre, mendimi im
shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët në Zotin të
cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”. Faleminderit Papës
Gjon Palit II për atë që bëri për shqiptarët Duam të kujtojmë me nderim të
veçantë veprimtarinë e Papës Gjon Pali II në favor të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovës
e kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë Wojtila pat thënë,
së pari në sheshin Skënderbe të Tiranës, në vizitën e tij historike e të paharruar
të 25 prillit 1993, gjatë së cilës shuguroi ipeshkvijtë e parë shqiptarë të Kishës
Katolike, pas diktaturës komuniste: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt
shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell
farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje
të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë
hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit
dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar
shekullore shqiptare”. E pastaj për Kosovën, sidomos kur në të ndizej lufta
shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre
trojeve, Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët
e vitit 1999, pati thënë: “I lutem Zotit të ringjallur t’i japë dhuratën e paqes,
së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një
skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë
mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë
detyruar të ikin larg. Të mobilizohet solidariteti i të gjithëve, që më në fund të
flitet sërish për vëllazërim e paqe! Si të qëndrojmë pasivë para lumit të dhimbshëm
të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë? Në
këtë ditë të shenjtë, unë e ndjej për detyrë t’u drejtohem me një thirrje të zjarrtë
autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, që të lejojnë hapjen e një korridori
humanitar, i cili të mundësojë dërgimin e ndihmave për popullsitë e grumbulluara në
kufirin e Kosovës. Për veprat e solidaritetit nuk mund të ekzistojnë kufij; është
gjithnjë detyrë, hapja e korridoreve të shpresës”.