Pakistan: Emergjenca e përmbytjeve nuk ka përfunduar ende.
(05.10.2010 RV)Sipas raporteve të fundit të UNICEF-it mbi përmbytjet në Pakistan,
emergjenca nuk ka kaluar aspak dhe pasojat e përmbytjeve do të vihen re edhe për shumë
vite të tjera. 20 milionë njerëz të pastrehë, shumë toka të mbjella të mbuluara nga
uji. Në disa zona ka nisur kthimi i refugjatëve por nevojat e popullsisë mbeten ende
shumë të larta. Mbi gjendjen e tanishme atje, flet veprimtarja e organizatës humanitare
Cesvi, Diana Bassani:
Përgjigje: Aktualisht numri i njerëzve të goditur nga
përmbytja ka arritur afër njëzet milionëve, po të kemi parasysh 78 distriktet që ka
Pakistani. Shumë, tani, po kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Fillimisht ishin strehuar
pranë familjarëve, të afërmve, miqve ose nëpër shkolla dhe ndërtesa publike. Tani
mund të themi se 692 mijë vetë janë strehuar nëpër tri mijë shkolla. Për këtë arsye
shkollat janë ndërprerë dhe viti shkollor është shtyrë pikërisht për vështirësi në
organizim. Përmbytja e korrikut pati filluar në veri të vendit por më pas shkoi edhe
drejt jugut, pra në Panxhab dhe Sind. Në këto dy zona popullata po kthehet tani nëpër
shtëpitë e veta, ndërsa vazhdon shpërndarja e ndihmave sepse uji nuk është tërhequr
akoma. Është ende i lartë.