2010-10-05 15:56:12

Nobeli për mjekun Eduards. Kisha nuk është dakord.


(05.10.2010 RV)Ka shkaktuar debate e diskutime të shumta, dhënia e çmimit Nobel për mjekësinë, shkencëtarit britanik Robert Eduards, i mirënjohur për teknikën e fekondacionit në epruvetë, me të cilën kanë lindur mëse 4 milion fëmijë në të gjithë botën, që nga viti 1978, kur u përdor për herë të parë.
Kisha Katolike e quan dhënien e këtij çmimi të tepruar, pasi vlerësohet një person që ka manipuluar gjenetikisht jetën e njeriut. Ose siç shkruan gazeta kishtare italiane “Avvenire”: “Do të na kishte pëlqyer, që Nobeli t’i jepej atyre që bëjnë punë kërkimore me ndikim më të vogël në media, shpesh të lënë mënjanë e pa fonde, si kërkimet mbi sëmundjet e rralla, ose mbi terapinë për sindromën Daun, e cila nuk do të ishte aq e rrallë, nëse, në vend që ta kurojë, shoqëria perëndimore e ka zgjidhur problemin, duke mos u skandalizuar më për abortin përzgjedhës të fëmijëve me trisomi”.
Nuk është fjala për të qenë kundër përparimit shkencor, sqaron “Avvenire”, por ky duhet disiplinuar për të mos lejuar raste si shkatërrimi i embrioneve, nënat-gjyshe, ose pa partner, fekondimin e çifteve homoseksuale, apo fekondimin me materil gjenetik marrë nga bashkëshorti i vdekur. Gazeta kujton se fekondimi në epruvetë u përdor për herë të parë nga një abat katolik, që quhej Lazër Spalancani, i cili manipulonte me qen e me bretkosa, por as që i pati shkuar nëpër mend të ndërhynte në jetën njerëzore.
Të dëgjojmë opinionin e kryetarit të Shoqatës italiane “Shkenca dhe Jeta”, prof. Luçio Romano:
Duhet të kemi parasysh se Eduards shenjon historinë, pasi bën kalimin e teknikave nga bota e kafshëve në botën e njeriut. Por kjo nuk do të thotë absolutisht se ky kalim, në tërësinë e vet, përfaqëson përparimin e njeriut në këndvështrimin e përgjithshëm. Është një Çmim Nobel, që duhet marrë parasysh duke e analizuar edhe nga pikpamja etike. Mua më duket se këtu janë lënë mënjanë të gjitha problematikat etike të lidhura me fekondimin në epruvetë.
I pyetur nga gazetarët, edhe kryetari i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Injacio Karrasko de Paula dha këtë deklaratë:
Dhënia e Nobelit profesor Eduardsit ka ngjallur miratime, por edhe jo pak dyshime, siç mund të parashikohej. Personalisht do të kisha votuar kandidatë të tjerë, si MekKullok e Till, zbuluesit e qelizave staminale, ose Jamanaka, i pari që ka krijuar një qelizë me potencialitet të induktuar të shumëfishtë. Gjithsesi, zgjedhja e Eduardsit nuk më duket krejt e rastit; nga njëra anë, hyn në logjikën e Komitetit, që cakton çmimin Nobel, nga ana tjetër, shkencëtari britanik nuk është një personazh, për t’u nënvleftësuar: ka përuruar një kapitull të ri e të rëndësishëm në fushën e riprodhimit njerëzor, rezultatet më të mira të të cilit shihen qartë, duke filluar nga Luizë Braun, fëmija e parë lindur në epruvetë, tashmë nënë 30 vjeçare. Dyshimet? Të shumta: pa Eduardsin nuk do të ekzistonte tregu i ovociteve; pa Eduardsin nuk do të kishim frigoriferë plot me embrione, në pritje për t’u transferuar në ndonjë mitër, për t’u përdorur në punë kërkimore, ose për të vdekur të braktisur e të harruar nga të gjithë. Eduards pëuroi një shtëpi, por i hapi derën e gabuar, kur u përqendrua vetëm në fekondimin në epruvetë, duke mundësuar kështu dhurimin dhe shit-blerjen e qenieve njerëzore. Në këtë mënyrë, nuk e ndryshoi aspak as kuadrin patologjik, as kuadrin epidemiologjik të shterpësisë. Zgjidhja për këtë problem të rëndë do të vijë nga një rrugë tjetër, më pak e kushtueshme, e që është në një pikë mjaft të përparuar tashmë. Duhet të kemi durim e besim tek shkencëtarët e mjekët tanë klinikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.