2010-10-04 17:08:14

Takimi i Shën Egjidit në Barcelonë: “Të jetojmë sëbashku në kohë krize. Familja e popujve, familje e Zotit”


(04.10.2010 RV)Dita e dytë e takimit të organizuar nga shën Egjidi mbi “Njerëzit e fenë”, që sivjet bëhet në Barcelonë të Spanjës. Tema, rreth së cilës po diskutojnë pjesëmarrësit deri nesër, më 5 tetor, është “Të jetojmë sëbashku në kohë krize. Familja e popujve, familje e Zotit”.
Lindja e Mesme, Afrika, Evropa: tre pikat themelore të këtij takimi paqeje, që filloi në Asizi, me Gjon Palin II, në vitin 1986, venë në dukje se kultura e luftës, mbrojtur me zjarr pas atentateve të 11 shtatorit 2001, nuk solli paqen, edhe kur e pati këtë qëllim. Dialogu, që atëherë dukej si i rrezikshëm, sot është mëse i nevojshëm për një botë, e cila përndryshe do të ishte më e keqe. Themeluesi i bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Rikardi vërejti në takim, se është e nevojshme të rindërtohet familja e qytetërimeve dhe e feve të ndryshme, të ripohohet dinjiteti i ndryshimeve, që nuk duhet të dramatizohen kurrë, sepse, pavarësisht se kjo mund t’u shërbejë politikanëve për zgjedhjet, mund të bëhet një lojë tepër e rrezikshme. E këtu hyjnë edhe qëndrimi ndaj romëve e ndaj emigrantëve në Evropë, integrimi i të cilëve, sipas Rikardit, duhet bërë me inteligjencë e me guxim për të ndërtuar një botë, që të jetë vërtet familje e popujve.
Në mesazhin e djeshëm, në hapje të konferencës, Papa thekson pikërisht këtë: “Në një kohë të vështirë krize e konfliktesh, fetë janë të thirrura të realizojnë vokacionin e tyre të veçantë në shërbim të paqes e të bashkëjetesës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.