2010-10-04 07:35:10

Sot me 4 tetor kalendari Kishtar përkujton
Shën Françeskun e Asizit.


(04.09.2010 RV)Nga një rini e shkujdesur e plot dëfrime, Françesku posa ndjeu mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e të pastër, sipas shpirtit të lumnive. Së bashku me vëllezërit e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e Kishës.
I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939.
Urdhri françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e kështu edhe në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare si në Kosovë e Mal të Zi.
E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa e Shën Françeskut, që me shembullin e vet vijon të tërheqë mijëra njerëz të kombësive të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar. Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin.
Lutja e shën Françeskut
O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje – unë ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje – unë ta sjell faljen,
ku ka mospajtim – unë ta sjell bashkimin,
ku ka mashtrim – unë ta sjell besimin,
ku ka dëshpërim – unë ta sjell shpresën,
ku ka terr – unë ta sjell dritën,
ku ka pikëllim – unë ta sjell gëzimin.

O Zot, bëj që mos të kujdesohem aq
që të jem ngushëlluar – sa të ngushëlloj,
që të më kuptojnë – sa t’i kuptoj unë të tjerët,
që të më duan – sa të dua.

Sepse: kush dhuron vetveten – e fiton vetveten;
kush harron vetveten – e gjen vetveten;
kush fal – do t'i falet;
kush i vdes vetvetes – lind për jetën e amshuar.

KËNGA E KRIJESAVE
I Tejetlarti, i Gjithpushtetshmi,
o Zoti ynë i mirë!
E jotja është lavdia, lumturia,
nderi dhe çdo bekim.
Këto Të takojnë vetëm Ty,
ndërsa asnjë njeri nuk është i denjë
as emrin e shenjtë që Ta përmendë.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
me të gjitha krijesat e Tua –
posaçërisht me vëllain,
zotërinë Diellin.
Prej tij na vjen dita
dhe ai na ngroh me rreze të veta.
Ai është i bukur
dhe plot me dritë shkëlqyese,
i përngjan, o i Larti,
dritës Sate të hyjnueshme.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Hënës
dhe vëllezërve yje!
Ata të shkëlqyeshëm,
të dashur dhe të bukur
i ke shpërndarë nëpër qiellin Tënd.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Erës,
përmes Ajrit dhe Reve
dhe Kthjelltësisë së shkëlqyer,
dhe përmes të gjitha
moteve të Tua,
me të cilat i mban krijesat e Tua.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes vëllait tonë Ujit.
Ai është shumë i dobishëm,
i përvujtë, i çmueshëm dhe i pastër.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes vëllait tonë Zjarrit,
i cili natën e errët na e shndrit.
Ai është i bukur dhe i këndshëm,
i fortë dhe përvëlues.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Tokës.
Ajo na ushqen dhe na mban,
na jep fryte të ëmbla, lule të larme dhe gjelbërim.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes atyre që falin
për dashuri tënde,
dhe i pësojnë me gëzim
vuajtjet jetësore.
Të lumët ata që çdo gjë e bëjnë me paqe,
sepse do t'i kurorëzosh
me kurorë të amshuar.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë
vdekjes së trupit,
cilës asnjë i vdekshmi
nuk do t'i ikë.

Të mjerët ata, që vdesin
me mëkat të rëndë!
Kurse të lumët ata, të cilët Ti i gjen
sipas dëshirës Sate të shenjtë,
sepse vdekja tjetër
nuk do t'i humbasë!

Lavdëronie dhe bekonie Zotin tim,
falënderonie Atë,
shërbeni Atij të gjithë
me përvujtni të madhe!

Shën Françesku i Assisit dhe Françeskanët

Jetëshkrim i shkurtë

Si themelues i këtij rregulli njifet shêjti i mirënjohun, shën Françesku. Ai lindi në Assisi të Umbrisë mes vjeteve 1181 – 1182. Në pagzim nâna e tij Pika (Pikarda) e quejti Giovanni - Gjon. Porse baba i tij, tregtar i mirënjohun i atij vendi, Pietro Bernardone, për hir të pasunisë që kishte fitue në Francë e quejti Françez i vogël – FRANÇESKO. Por, me sa duket Françeskun e rriti dhe e edukoi vetem e ama sepse i ati ishte gjatë gjithë kohës në rrugë, i zânë me çashtje tregtare. Prej së âmës, ai trashëgoi butsinë, përshpirtninë, dashuninë ndaj të vorfunve; këto tipare do t’i edukojë deri në vdekje, prej të cilave përfitoi edhe shumë hire tjera...
Petar Bernardone dëshiroi që të birin ta bânte tregtar, trim e fisnik të famshëm. Këtë dëshirë Françesku u mundue me të gjitha forcat, me gjithë zemër ta realizoi. Si mundsi e kohës për ta arritë titullin e fisnikut, ofrohej shkuemja në luftë . Françesku ynë këtu nuk pati sukses, sepse i kishte ngatrrue pozitat se për kë të luftonte. Këtë ia kujton Zoti në nji ândërr “Françesko, kush âsht mâ i madh, zotnia apo shërbtori? “ - e pyeti dikush në ândërr. “Zotnia.” – i përgjigjet Françesko. Aty ai e kupton se nuk po lufton në anën e Zotit, por për gjâna toksore, për njerz që nuk punonin në favor të Zotit. Ai kthehet në vendlindje. Këtu e pret e âma, shoqnia e hareshme e muzikantëve të përbâmë prej rinisë së Assisit; atë e priste natyra e bukur e vendlindjes, të cilën e preferonte, e meditonte; por atë e pritën me gëzim të veçantë të vorfnit, të cilët aq mirë e njifnin nga bujaria e tij, që me sa duket nâna tij Pikadia ia kishte ngulitë në zemër e shpirt.
Françesku shpeshherë ndiente nevojë t’i vizitonte edhe kishat e vjetra, të vetmume. Ai aty ndjente nji qetsi të veçantë; aty ai i shprehte Zotit mâ lehtë atë çka shpirti i tij kërkonte “...Bân ta kuptoj atë çka ti kërkon prej meje!” Kështu Zoti në nji prej këtyne kishave, në kishën e vogël të shën Damjanit nga kryqi i thotë: “Shko Françesko e ndërtoje Kishën teme! E sheh se po rrëzohet?! “ Sikurse edhe njerzit e shekullit tonë, ashtu edhe Françesku në kohën e vet, mendonte se paraja i rregullon të gjitha. Në fillim, ai kishte kuptue se Zoti kërkonte ta rregullonte kishën që vërtet rrëzohej si objekt. Mirëpo, Zoti kërkonte diçka tjetër; kërkonte të ndihmohej Kisha e gjallë, njerzit, shpirtnat.
Nëse shikohet e analizohet pozita e Kishës në atë kohë (në aspektin politik), kishim me mendue se Kisha katolike ishte “në formë”. Europa ishte e krishtenë; ajo ishte e fortë, luftonte për ideale të nalta (mbase të njâjta me të Bushit sot!). Europjanët zhvillonin lufta të ashpra për lirimin e Tokës së shêjtë nga “barbarët”. I gjithë ky ideal e kishte përfshi gjithë rininë europjane, sepse prej betejave të tilla bâheshin edhe mâ të pasun me dukate e me tituj. Atëherë mendohej se Kisha ishte në kulmin e lulzimit, të forcës së saj; ajo ishte e organizueme shumë mirë, posedonte çdo lloj rangu, titulli, urtie e dijenie; kishte mjaft edhe meshtarë e rregulltarë; bile themeloheshin edhe ma shumë rreguj tjerë të rij, saqë Kishës i âsht dashtë me intervenue tue i dhânë fund themelimeve, e të anulojë të gjithë rregujt e rij me rregulloret e tyne . Mirëpo, Zotit, për çudi, nuk i mbushnin hesapë këto lloj organizimesh. Atij i nevojitej nji Françesko në fillim i llastuem, i ndjeshëm, i dobtë, i dështuem në idealet nobeliste të kohës. Mu atë e zgjodhi me e rindërtue Kishën, që sytë e njerzve nuk e vërenin si të dobtë... sytë e tyne shihnin se Kisha qëndronte mjaftë mirë, se ajo kishte mure të forta.
Edhe mbas kësaj ngjarje në kishën e shën Damjanit, nji kohë Françesku e kishte të vështirë me e kuptue se çka në të vërtetë Zoti kërkonte prej tij, me çka ta ndërtonte atë çka ishte edhe e stër- ndërtueme materialisht. Ai kishte problem me ndryshim të mentalitetit, me mënyrën e të menduemit të vet. Por, mbasi që puna me të sëmundë e të vorfën ishte ajo çka ia mbushte shpirtin e tij, mâ në fund ai e kuptoi se me çfarë materiali i duhej ta ndërtonte Kishën, me materialin që i mungonte asaj – vorfnia.
Gëzimi i Françeskut dhe hareja e pakufi e tij tash kishte tjetër arsye, tjetër motiv: ai e kishte ndëgjue zanin e Zotit që e thirrte me e ndjekë Atë, me e ndertue Kishën e Tij. Ai kishte ndryshue jetën e tij. Të gjithë ishin të shqetsuem me sjelljet e tij. Nji shokut të tij i ra ndërmend se mos ndoshta “tipi” i hareshëm do të jetë dashnue me ndonji vajzë. Françesku i përgjigjet: “Po. Ajo do të jetë nusja ime, ajo quhet “Zoja Vorfni”.
Ky vendim i Françeskut i ka sjell mjaft probleme: shamje, përbuzje, shamatë, rrahje, turtura të llojeve nga mâ të ndryshmet. Sjellja e tij edhe sot do të dukej e çmendun edhe pse rinie jonë rroba të grisuna e krye të rrumë sot i përdorë për modë, veshja si e Françeskut (ish “princit” të vendit) do të dukej sarkazëm e hidhun. Veprimi i Françeskut ishte për hir të Zotit dhe të përuljes së vetvetes. Për të ka qenë mâ e vështira prekja në erz të familjes, sepse djali i familjes famoze tash ish krisë mendsh. Mirëpo, kjo ishte thirrje e Zotit edhe pse askush në fillim nuk e kuptoi. Ai përklundrazi të gjitha këtyne kundërshtive dhe shpotive, vazhdoi rrugën që e kishte thirrë Zoti “të jetë zâdhanës i Mbretit të Madh” në lutje, pendesë, agjënim të skajshëm, përbuzje e përqeshje të vendasve e mallkim të të atit.
Mbas katër vjetëve, të parët që besuen se Françesku nuk ishte i çmendun, por i ishte përkushtue Zotit, ishin shokët e tij të ahenxheve, ata ishin t’bijtë e fisnikëve mâ të dalluem të Assisit e të Umbrisë. Ata u bânë edhe pasuesit e tij të parë.

Françeskanët

Pasuesit e parë të shën Françeskut ishin shokët e tij. Edhe ata, si shoku i tyne, u bindën se me qenë i lirë për me e lëvdue vetëm Atin që âsht në qiell, ia vlenë të vishet thesi i vrazhdë i lidhun me nji konop trinyjesh, “të zbukurohesh” me tonzurë, të ecësh zbathun, që sa mâ mirë të përjetohet toka nânë. Këtyne, mbase nuk u âsht dashtë me i hedhë rrobat e t’u thonë etënve të tyne: “deri tash të kam thânë ty ati im që je mbi tokë; e tash due me i thanë Atit Qiellor: Ati jem që je në qiell” . Ndër mâ të parët që u përkushtue me jetue si shoku i tij me titull fisnik i Assisit i quejtun Bernard, mbas tij atëherë vërshuen së pari i gjithë qyteti i Assisit, sa që âsht mendue se nuk do të mbetet djalë që ka me iu përkushtue familjes.
“Zoti m’i dha v’llaznit”. Kështu shprehej shêjti i të gjitha kohnave, Françesku. Por, tash pyetje se si do të jetohej; a do të vazhdohej ashtu pa rregullore, por vetëm me dashuni të Zotit në zemer vepra e Françeskut në lutje, pendesë, ndihmesë të vorfënve e të gërbulunve, apo do të predikohet Fjala e Zotit si në kohën e apostujve?!
Gjithçka vendosi Françesku me veprue ka qenë ndikim, realizim i drejtpërdrejtë i Ungjillit. Në nji mëngjes të vjetit 1208, ndoshta do të ketë qenë 24 frori, në Meshën e ditës në kishën që thirrej Porziuncola (kisha e Zojës së engjëjve) Françesku ndëgjon se apostujt nuk morën me vete as ar, as argjend, as shkop, as strajcë, as dy palë rrobë, as këpucë… kështu bâni edhe ai, të gjitha rrobat e tij i shpërndau të vorfënve… Të njâjten gjâ e bânë edhe të gjithë shokët e tij “Shit çka ke e ndaju skamnorëve…! Merre kryqin tand çdo ditë e eja mbas meje…! Leni të vdekunit t’i vorrosin të vdekunit… Eja mbas meje!” Ungjilli, në veçanti këto pjesë të tij, ishin rregulla mâ e përkryeme e tyne, simbas porosive të Fjalës së Zotit, ashtu edhe bânë.
Qëllimi i shën Françeskut nuk ishte të themelonte urdhen të ri. Ai thjesht deshti t’i shërbente Zotit në thjeshtsinë dhe vorfninë mâ të skajshme. Kësaj rruge ia mësyen edhe mija të rijë të tjerë; kjo nuk ishte vepër e tij, ketë vepër e nisi dhe e përkreu vetë Zoti, ai ishte thjesht instrument në dorë të Tij.
Françesku veten e mbajti si shërbtor i shërbtorëve të Zotit, prandaj edhe pat dëshirë që urdhni i tij të thirret Fretën Minorë, vetëm e vetëm të jenë të vogjël shpirtnisht, të jenë të fundit e kësaj dhe të gjitha shoqnive.

Përgatiti për "Zani i Shna Ndout" motër Shpresa Kabashi







All the contents on this site are copyrighted ©.