2010-10-04 07:00:48

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 3 tetor, Kisha kremton të dielën e 27-të gjatë vitit liturgjik, e po sot kalendari kishtar përkujton edhe shën Kandiden, martire. Liturgjia e festës së Shën Kandidës martire, na nxit të meditojmë për detyrën tonë si të krishterë në ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Është thirrje themelore, që Jezusi na e përsërit çdo çast, duke na kujtuar se kjo thirrje duhet të na nxisë t’i duam të tjerët e jo ta ndjejmë veten më të mirë se ata.

Të hënën më 4 tetor, kalendari kishtar përkujton festën e Shën Françeskut të Asizit, themeluesit të Urdhrit Françeskan. Festa e Shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual, që duke e parë botën me syrin e fitimit, përpiqet të na bindë se sendet e njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë.

Të martën e ardhshme më 5 tetor bie e festa liturgjike e Shën Plaçidit e Maurit, nxënës të Shën Benediktit; Shën Galës, vejushë romake dhe e Shën Marisë Faustina Kovalska, virgjër. Liturgjia e kësaj dite na kujton se çdo besimtar duhet të përpiqet për ta përhapur mbretërinë e Hyjit kudo. Pikërisht për këtë, pasi i nisi dymbëdhjetë apostujt, Jezusi dërgoi edhe 75 të tjerë, sepse të korrat ishin të begata.

Të mërkurën që vjen më 6 tetor, kalendari Kishtar do të përkujtojë Shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve. Festa e tij na mëson se nuk është njëlloj ta pranosh ose të mos e pranosh Jezusin. Në se pranojmë se Krishti është jeta, mospranimi i tij ka si pasojë përjashtimin nga lumturia e përjetshme hyjnore, që do të thotë vdekjen. Feja na mundëson të shohim me sytë e Zotit e t’ia arrijmë cakut të vërtetë të ekzistencës.

Të enjten më 7 tetor bie festa e Zojës Rruzare, e cila na frymëzon lutjen e bukur: “O Mari, Ti që vë ndër duart tona Rruzaren shenjte, na mëso që, duke e thënë këtë uratë të bukur të ulur në shkollën tënde, të bëhemi kundrues të vërtetë të Krishtit Shëlbues”.
Po më 7 tetor përkujtohen edhe shenjtorët Sergji e Baku, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga kishat më të lashta në Shqipëri. Kisha ndodhet vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.

Të premten më 8 tetor, kalendari Kishtar prkujton shën Pelagenën virgjër e martire. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Zoti është e vetmja e mirë e njeriut e se Jezusi na drejton ftesën: ‘Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë”.
Të shtunën që vjen më 9 tetor, bie përkujtimi i Shën Dionisit e shokëve të tij, martirë; të Shën Leonardit, meshtar, themelues i Klerikëve rregulltarë të Nënës së Zotit, dhe të Shën Abrahamit, patriark. Duke i përkujtuar këta shenjtorë, na lind pyetja më e rëndësishme që duhet t’ia drejtojë vetes çdo njeri: “Ç’duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. Përgjigja është : “Të duash Zotin e të afërmin, ashtu si na e kujton Benedikti XVI në Enciklikën “Zoti është dashuri”.

Të dielën e ardhshme më 10 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 28-të gjatë vitit e më 10 tetor kalendari përkujton edhe Shën Danielin e shokët e tij, martirët e parë françeskanë dhe Shën Françesk Borgja. Liturgjia na fton të reflektojmë për mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën,







All the contents on this site are copyrighted ©.