Me 2 tetor kalendari Kishtar përkujton festën e Engjëjve të Rojës
Përkujtimi i Engjëjve të Shenjtë, sot të përmendur në mënyrë të qartë në ‘Martirologun
Romak’ të Kishës Katolike, si Engjëjt e Rojës, kremtohet që nga viti 1670 më 2 tetor,
datë e caktuar nga Papa Klementi X (1670-1676); Kisha Ortodokse e kremton këtë festë
më 11 janar. Në historinë e shëlbimit, Hyji ia beson Engjëjve misionin për t’i
mbrojtur patriarkët, shërbëtorët e tij e tërë popullin e zgjedhur. Shën Pjetri në
burg lirohet nga Engjëlli i tij. Jezusi në mbrojtje të të vegjëlve thotë se Engjëjt
e tyre e shohim gjithmonë fytyrën e Atit që rri në Qiell. Pra, prania e padukshme
e këtyre shpirtrave të lum, e Engjëjve të Rojës na ndihmon e na ngushëllon fort:
ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund
t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast. Shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie
të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste
të veçanta: “Engjëjt dërgohen nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë
shëlbimin, siç na e kujton Letra drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre
në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor”. Engjëjt e Rojës , pra, janë figura
qiellore të pranishme në universin fetar e kulturor të Biblës, si dhe në shumë besime
të lashta. Engjëjt e Rojës paraqiten gjithnjë si qenie me krahë, simbol i forcës ndërmjetësuese
të Zotit tek njeriu. Fjala engjëll vjen nga greqishtja e lashtë "anghelos - lajmëtar".
Nuk është, prandaj, aspak e rastit që në gjuhën biblike termi engjëll tregon një person
të dërguar prej Zotit për të kryer një mision. Me këtë kuptim kjo fjalë përdoret
175 herë në Besëlidhjen e Re e 300 herë në Besëlidhjen e Vjetër, ku flitet edhe për
funksionin e ushtrisë qiellore, të ndarë në nëntë shkallë hierarkike: Kerubinët, Serafinët,
Fronet, Sundimet, Autoritetet, Virtytet qiellore, Principatat, Kryeengjëjt, Engjëjt. Sot
figurat e engjëjve vijojnë të kujtohen në predikimet liturgjike, madje përdoren shpesh
si simbole edhe nga mjetet e komunikimit. Gjithsesi çdo i krishterë e di se ka një
engjëll të rojës, i cili e shoqëron në çdo hap të jetës e të cilit i lutet çdo mëngjes
e mbrëmje ta shndrisë, ta ruajë, ta mbrojë, ta sundojë. Ta kërkojmë me besim ndihmën
dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës.