Enciklika e Piut XII për dinjitetin e njeriut e kundër luftës ‘Summi Pontificatus’,
botuar 71 vjet më parë.
Si sot, më 20 tetor 1939, Papa Piu XII nënshkruante enciklikën e tij të parë, 'Summi
Pontificatus'. Eugjenio Paçelli ishte zgjedhur në Katedrën e Pjetrit vetëm prej disa
muajsh e, prej disa javësh, me pushtimin nazist të Polonisë, kishte shpërthyer Lufta
e Dytë Botërore.
Një pjesë të rëndësishme të kësaj Enciklike programatike,
Papa Piu XII ia kushton pikërisht temës së paqes e kundërvënies ndërmjet Krishterimit
e totalitarizmit. Mbi këtë dokument, që edhe 71 vjet pas botimit mbetet jashtëzakonisht
aktual, flet historiani nga Universiteti romak “La Sapienza” Françesko Malgjeri.....
“Shpërthimi
i luftës, e i kësaj lufte, që ishte luftë e lidhur me një vizion ideologjik, e bënë
Papën të ndërhyjë me këtë enciklikë në të cilën, në një farë mënyre, ideja e paqes
është e lidhur edhe me refuzimin e idesë së totalitarizmave e saktësisht me idenë
- tha atëherë Papa Piu XII - “e një botëkuptimi, që i jep Shtetit autoritet të pakufizuar”.
E prandaj, pikërisht këtë vizion të totalitarizmit në Evropë e gjykon si element,
që favorizonte konfliktet. Çështja ishte sidomos ajo e ripohimit të të drejtave të
njerëzve, ajo e nevojës së një marrëveshje dhe të një bashkëjetese paqësore ndërmjet
popujve”.
Në realitet, në enciklikën “Summi Pontificatus”, Papa nënvizon këtë
kundërvënie ndërmjet qytetërimit të dashurisë - qytetërimit të krishterë - dhe dhunës
ideologjike të totalitarizmave...
“Arsyeja që do të përsëritet edhe në dokumentet
e mëvonshme të këtij pape - posaçërisht mendoj për radiomesazhet e tij për Krishtlindje,
duke u nisur nga viti 1939 deri në vitin 1942, ku përvijohet plani i një bashkësie
ndërkombëtare të frymëzuar pikërisht nga respektimi i drejtësisë, i së drejtës; mendoj
për radiomesazhin, siç ishte edhe ai i vitit 1944, në të cilin kemi një thirrje të
saktë mbi vlerën e demokracisë si një sistem i frymëzuar edhe nga vizioni i krishterë,
i marrëdhënieve ndërmjet njerëzve e ndërmjet popujve”.
Kujtojmë se kjo
enciklikë e Piut XII, do të përdoret, ripohohet, aktualizohet edhe në magjisterin
e papëve të mëvonshëm, nga Gjoni i XXIII deri tek Benedikti XVI.