Revista zëmadhe e françeskanëve shqiptarë ‘Hylli i Dritës’, mbush 97 vjet
Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 1 tetor para 97 vjetësh
doli numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë "Hylli i Dritës"
- pasqyrë e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar,
për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e jo françeskanë, duke
shkruar sa me bojë, aq me flijimin e jetës deri në derdhjen heroike të gjakut në mbrojtje
të vlerave kulturore e shpirtërore të popullit e të vendit. Numri i parë i revistës
“Hylli i Dritës” u botua më 1 tetor 1913, për t'u ndërprerë menjëherë, sepse doli
haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare shqiptare, seriozisht të kërcënuara
një vit pas shpallje së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore. Shkruante
Atë Gjergj Fishta:"E tuj kenë se me të hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi
nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë,
e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli i Dritës", përsč âsht tue lé nepër
ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin
ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme,
(ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën
ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë"
(H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji). Revista Hylli i Dritës rifilloi të botohej
në maj të vitit 1921, për të heshtur rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor
të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga françeskanët e paktë
që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi i komunizmit: Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt
u ngrit po në atë rang të lartë që kishte pasur dikur Hylli i Dritës dhe revista tjetër
e Etërve Jezuitë “ Leka “. Në këtë periudhë të pas komunizmit, Hylli i Dritës u
botua deri ne vitin 1997 kur iu deshtë të mbyllej sërish. Pas kësaj ndërprerje të
re, rifilloi përsëri të botohet në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Provincës
Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë por kësaj radhe nën kujdesin e prof. Ardian
Ndrecës.