2010-10-01 16:11:58

Misioni - shërbim nga i cili Kisha nuk mund të heqë dorë. Ndjeti i lutjes së Papës për tetorin.


“Kremtimi i Ditës Misionare Botërore qoftë një mundësi për të kuptuar se detyra e kumtimit të Krishtit është një shërbim i nevojshëm nga i cili Kisha nuk mund të heqë dorë e që Kisha është e thirrur të kryejë në shërbim të njerëzimit.” Ky është ndjeti misionar i lutjes të Papës për muajin tetor. Është kjo, një temë tek e cila papa është ndalur shumë herë gjatë papnisë së tij.

Të gjithë të pagëzuarit janë të thirrur të kumtojnë Ungjillin, të shpjegojnë arsyen e shpresës që është në zemrën e secilit prej nesh. Kjo është thirrja e Benediktit XVI, i cili na ka kujtuar më se një herë se dëshira e zjarrtë misionare është themelore për çdo bashkësi të krishterë:

“Kumtimi i Ungjillit mbetet shërbimi i parë që Kisha duhet t’i kryejë njerëzimit, për t’i përcjellë shpëtimin e Krishtit njeriut të kohës sonë, të poshtëruar e të shtypur në shumë forma e mënyra dhe për të drejtuar nga kahu i krishterë shndërrimet kulturore, shoqërore dhe etike që janë në zhvillim e sipër në botë.” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 7 tetor 2007).

Misioni i kumtimit të Ungjillit, përsërit Papa, del nga një shpirt i përtërirë , i shndërruar nga dashuria e Zotit. E kështu Papa Racinger, bashkohet me thirrjen e Shën Palit drejtuar çdo të krishteri që është i thirrur për të kumtuar Lajmin e Mirë:

“Në fakt, misioni, nëse nuk karakterizohet nga dashuria, reduktohet thjesht në një veprimtari filantropike dhe shoqërore. Për të krishterët, përkundrazi, vlejnë fjalët e apostullit Pal: “Dashuria e Krishtit na nxit.” [...] Çdo i pagëzuar, si një gem i bashkuar me hardhinë, mund të bashkëpunojë kështu me Krishtin në misionin e Tij, që mund të përmblidhet në këto fjalë: t’i çojmë çdo njeriu lajmin e mirë se “Zoti është dashuri.”, dhe pikërisht për këtë, dëshiron të shpëtojë botën. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 22 tetor 2006.)

“Misioni – vë në dukje Papa – është, pra, një kantier në të cilin ka vend për të gjithë sa impenjohen të ndërtojnë në familje Mbretërinë e Zotit.”:

“Për të gjithë ata që impenjohen të ndërtojnë në familje Mbretërinë e Zotit; për ata që e jetojnë me shpirt të krishterë detyrën profesionale; për ata që i shugurohen plotësisht Zotit; për ata që ndjekin Jezusin, Bariun e Mirë në misionin e urdhëruar Popullit të Zotit; për ata që në mënyrë të veçantë, nisen për të kumtuar Krishtin dhe për ata që nuk e njohin ende.” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 22 tetorit 2006.)

Papa nuk harron gjithashtu edhe të vërë në dukje se misioni është shpeshherë i lidhur me persekutimin. Na kujton se vrasja e Shën Stefanit shënjon fillimin e persekutimit kundër dishepujve të Jezusit, të cilët që asokohe u nxitën të largohen nga Jerusalemi dhe t’ua kumtojnë Ungjillin paganëve:

“Në historinë e Kishës nuk do të mungojnë kurrë mundimet dhe persekutimet. Dhe pikërisht, sipas frazës së famshme të Tertulianit, persekutimi kthehet në burim të misionit të të krishterëve të rinj: “Ne të krishterët shumohemi sa herë që ju na kositni: gjaku i të krishterëve është farë.” (Audienca e përgjithshme, 10 janar 2007.)

Një uratë drejtuar Zotit, i Cili iu kërkoi Apostujve të parë të bënin ungjillëzimin, por vë në dukje Papa – jo vetëm atyre por edhe barinjve të Kishës sot, në këtë kohë sfidash historike, shoqërore dhe shpirtërore. Benedikti XVI bën thirrje për impenjim të ri atje ku pritet ungjillëzimi i parë, por edhe në kombet e vjetra të krishtera ku shekullarizimi ka shkaktuar një krizë të thellë të domethënies së fesë:

“Në këtë perspektivë, kam vendosur të themeloj një organizëm të ri, në formën e 'Këshillit Papnor', me detyrë promovimin e një ungjillëzimi të ri të popujve ku kumtimi i parë i fesë është bërë me kohë e ku ka kisha me traditë të lashtë, por që po përjetojnë një shekullarizim të pandalshëm të shoqërisë dhe një lloj “eklipsi të domethënies së Zotit”, gjë që përbën një sfidë për të gjetur mjetet e përshtatshme për ta propozuar edhe njëherë të vërtetën e përjetshme të Ungjillit të Krishtit.” (Mbrëmësorja, 29 qershor 2010.)







All the contents on this site are copyrighted ©.