2010-09-30 16:37:05

Ëndrra e Nënë Terezës: një shtëpi për të sëmurët në fund të jetës në Ajodia, Indi.


E lumja Nënë Terezë, dëshironte që në tokën për të cilën grinden hinduistët dhe myslimanët, në qytetin e Ajodia-s, në shtetin e Utar Pradeshit, të ndërtohej një qendër mikpritëse për më të varfrit e të varfërve, për të sëmurët në fund të jetës, të çdo feje, pa dallim. Kjo ishte, sipas së Lumes me kombësi shqiptare, një mënyrë për t’i hequr kapsollën konfliktit në vend. Nëpërmjet një shërbimi të tillë bërë njerëzimit, thoshte ajo, hindutë do të falënderonin hyjninë Rama, ndërsa myslimanët Allahun.
Kështu deklaroi për agjencinë e lajmeve Fides, imzot Henry D’Souza, kryeipeshkëv nderi i Kalkutës, duke folur mbi një çështje tek e cila vazhdon të jetë e përqendruar e gjithë vëmendja e kombit indian.
Kryeipeshkvi tregon: “Mbaj mend se pak kohë pas, shkatërrimit të xhamisë së Babrit dhe dhunës që shpërtheu, Nënë Tereza erdhi tek unë dhe më kërkoi që ta shoqëroja tek kryeministri ose tek presidenti i Indisë, për t’iu kërkuar që në atë vend, për të cilin kishte grindje, të ngrihej një qendër mikpritjeje, për t’i bërë një shërbim të dobishëm njerëzimit që vuan. Misionaret e dashurisë do të kishin qenë të gatshme ta drejtonin atë. Ndonëse e vlerësova idenë, i thashë se, sinqerisht, nuk kisha ndërmend të futesha në një çështje që asokohe ishte e politizuar në kulm, por e ftova të vazhdonte në projektin që kishte. Nuk e di pastaj, nëse pati arritur që t’ua përcillte krerëve të shtetit këtë ide. Sot, jam i mendimit se shndërrimi i atij vendi në një qendër shërbimesh për të varfrit dhe ata që vuajnë do të ishte një mënyrë e mrekullueshme për ta mbyllur davanë, dhe për të bërë që nga një çështje, e cila ka pjellë vetëm urrejtje dhe gjak, të lind një e mirë për të gjithë kombin.”
Çështja e Ajodia-s shkaktoi në vitin 1992 përleshje të përgjakshme ndërmjet hinduve dhe myslimanëve (më shumë se dy mijë të vdekur), pas shkatërrimit të xhamisë së Babrisë nga ana e hinduve, të cilin mëtonin se në atë vend kishte ekzistuar një tempull i hyjnisë Rama. Pas një procesi gjyqësor të gjatë, duket se çështja po i afrohet fundit. Vendimi i gjykatës së Allahabadit pritej për më 24 shtator, por Gjykata e Lartë e shtyu. Në lidhje me vendimin e gjykatës, kryeipeshkvi Souza thotë: “Ka mundësi që të shtyhet përsëri. Besoj se duhen kërkuar rrugë të tjera për pajtimin dhe duhet të gjenden zgjidhje që të mos ketë më dhunë, por të krijohet paqë dhe harmoni në shoqërinë indiane.”







All the contents on this site are copyrighted ©.