Me 30 shtator kalendari kishtar përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës.
Një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit
kostandinian, Shën Jeronimi qe polemist i mprehtë, skripturist i thellë dhe
punëtor i palodhshëm. Lindi në Stridon të Dalmacisë ilire rreth vitit 347 në
një familje të krishterë. Që në fëmijëri u dallua për karakter të pavarur e të pasionuar
si edhe për kujtesë e inteligjencë të jashtëzakonshme. U pajis me kulturën më të lartë
klasike të kohës dhe u thellua në studimin e Shkrimit Shenjt sipas tekstit grek. Talentin
e vet e vuri në shërbim të papës Damazi, i cili e ngarkoi me detyrën të përkthente
latinisht tekstet origjinale të Shkrimit Shenjt, në mënyrë që besimtarët t'i kuptonin
sa më mirë gjatë kremtimeve liturgjike. Më pas u tërhoq në Betlehem, ku u dha pas
pendesës, lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit e studimit të gjuhëve lindore, të aramaishtes
e hebraishtes së vjetër. Shën Jeronimi e kuptoi se të mos e njohësh Shkrimin
Shenjt do të thotë të mos njohësh Krishtin. Nisi, prandaj, të përkthejë krejt Besëlidhjen
e Vjetër e të Re nga tekstet origjinale, bashkë me komentet përkatëse, fryt i mendjes
dhe i kulturës së tij. Kështu doli në dritë “Vulgata” e cila ende sot, mbas gati 20
shekujsh, përdoret në liturgjí të Kishës. Shën Jeronimi vdiq në Betlehem të Palestinës
më 30 shtator të vitit 420, duke përsëritur lutjen që ia kishte drejtuar vazhdimisht
Zotit: "Më fal, o Zot, se jam dalmat". Kërkonte falje për temperamentin e tij kolerik,
që e kishte bërë shpesh të humbiste kontrollin mbi vetveten. Kishës, të cilën e kishte
dashur aq shumë, i la trashëgim thesarin e pallogaritshëm të veprave të tija. Shën
Jeronimit, është At i Kishës, që përktheu në latinisht Biblën. Jeronimi ishte vërtetë
njeri i dashuruar me Fjalën e Zotit. Në festën e tij edhe ne jemi të ftuar të ecim
në gjurmët e tij dhe ta lexojnë e meditojmë Biblën, Fjalën e Hyjit, duke rikujtuar
fjalët e Jeronimit: “Mos të njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh
Krishtin”. “Bibla është mjeti me të cilin Hyji u flet çdo ditë besimtarëve” (Ep.
133, 13), bëhet kështu nxitje e burim i jetës së krishterë në çdo situatë e për çdo
njeri. Të lexosh Shkrimin Shenjt do të thotë të flasësh me Hyjin: “Në se lutesh –
i shkruan Shën Jeronimi një vashe fisnike romake – ti flet me Dhëndrin; në se lexon,
është ai që të flet”. (Ep. 22, 25). Studimi e meditimi i Biblës e bëjnë njeriun të
urtë e paqësor. (krh In Eph., prol). Po sikur na porosit Benedikti XVI lypen dy
kriteret themelore për ta kuptuar Biblën. Së pari: “Vetëm fryma e thellë e lutjes
dhe ndihma e Shpirtit Shenjt mund të të ndihmojnë për ta kuptuar Biblën: “Në interpretimin
e Shkrimit Shenjt ne kemi gjithmonë nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Në Mich.
1, 1, 10, 15)”. Kriteri i dytë i interpretimit të Fjalës së Zotit është përkimi
me magjisterin e Kishës, që do të thotë të jesh në përkim me mësimet zyrtare të Kishës:
“Nuk mund ta lexojmë kurrë Biblën të vetëm. Gjejmë shumë porta të mbyllura e shkasim
lehtësisht në gabime. Bibla u shkrua nga Populli i Hyjit e për popullin e Hyjit, të
frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Vetëm përmes këtij bashkimi me Popullin e Zotit mund
të hyjmë me gjithë vetveten në bërthamën e së vërtetës, të cilën dëshiron të na e
thotë vetë Zoti përmes Fjalës së Tij Hyjnore. Për shën Jeronimin, interpretimi i Biblës
duhet të jetë gjithnjë në pajtim të harmonishëm me fenë e Kishës katolike”. Shën
Jeronimi nuk e shpërfilli kurrë aspektin etik, do të thotë detyrën e koherencës së
krishterë për ta jetuar Fjalën e Zotit, që duhet ta kenë parasysh të gjithë besimtarët
e , në mënyrë të posaçme, predikatarët: “Kështu nxit meshtari Nepoçian: ‘Veprat tua
nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh
në Kishë, ndokush të thotë me vete: ‘Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm
vërtetë ky mësues që, pasi e mbushur mirë barkun, të mëson si të agjërosh; edhe një
hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë
ashtu si mendon dhe si jeton”. (Ep. 52, 7). E kjo koherencë duhet të shndërrohet
në vepra dashurie të krishterë sepse – siç thoshte Shën Jeronimi – Jezu Krishti është
i pranishëm në çdo qenie njerëzore. “Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar,
në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi është konkret
e na mëson: duhet ta veshim Krishtin në të varfërit, ta vizitojmë në të munduarit,
ta ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë”. Sot
pra, përmes Shën Jeronimit, të kujtojmë nevojën e edukimit të plotë të njeriut, si
kulturor ashtu edhe fetar e moral . “Sepse pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit
të njeriut në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është
kushti i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të
dhunës. E është Shkrimi Shenjt, Bibla që na prin drejt realizimit të edukimit para
Hyjit e para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit”.