2010-09-30 16:27:03

Bruksel: Meshë e Imzot Leonar për hapjen e punimeve të institucioneve evropiane.


(30.09.2010 RV)“Të braktisen interesat e ngushta dhe paragjykimet” dhe të punohet “për lavdinë e Zotit dhe për të mirën e vërtetë të shoqërisë evropiane”. Kështu u lutën për Bashkimin Evropian dje, pjesëmarrësit në Meshën në kishën Notre Dame në Sablon, në Bruksel, me rastin e hapjes së punimeve të institucioneve evropiane. Kremtimi eukaristik u kryesua nga kryeipeshkvi i Maline-Bruksel, Imzot Andre Zhozef Leonar, në bashkëkremtim me nuncin apostolik pranë BE Imzot Andre Depuji, dhe sekretarin e përgjithshëm të Comece (Komisioni i ipeshkvive të Bashkësisë Evropiane) Pjotër Mazurkieviç. Të pranishëm edhe Princi Filip dhe princesha Matildë e Belgjikës si edhe autoritete të shumta politike evropiane. Gjatë homelisë imzot Leonar, vuri theksin tek impenjimi – që e ka bazën tek shpresa që buron nga Ungjilli – për ndërtimin e një bashkësie paqeje, e cila di të mbrojë e zhvillojë familjet, territorin dhe të jetë e hapur ndaj botës. Kryeipeshkvi, – cituar nga agjencia e lajmeve Sir, – nënvizoi impenjimin e politikanëve evropianë “për të dëshmuar vlerat etike dhe shpresën” brenda institucioneve dhe për të mbrojtur dhe respektuar “lirinë e ndërgjegjes, në një Evropë pluraliste.” Më pas pjesëmarrësit u lutën për të varfërit. Ndihmat që u mblodhën u dhanë për të varfërit në Belgjikë dhe në Rumani.







All the contents on this site are copyrighted ©.