2010-09-29 15:20:45

Papa në audiencën e përgjithshme: liturgjia është shkollë e madhe përshpirtërie.


“Liturgjia është shkollë e madhe përshpirtërie”. Kështu tha sot Papa Benedikti XVI, gjatë audiencës së përgjithshme në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, para 30 mijë besimtarëve, të cilëve u foli për shën Matilde Hakebornin, mistike e madhe e shekullit të 13-të. Në fund, thirrja e Atit të Shenjtë për të dëmtuarit nga përmbytjet në Nigeri, lutja për gjendjen akoma të rëndë në Haiti dhe kujtimi i festës së Kryeengjëjve, Mikelit, Gabrielit e Rafaelit.RealAudioMP3

Një histori motrash e simotrash, të dyja bija të baronit Hakeborn – një fisnik e pushtetar nga Turingja, në Gjermaninë qendrore – e të dyja “lavdi e monakizmit gjerman” nga kuvendi i Heftës, ku hynë njëra, 10 vjet pas tjetrës. Gertruda Hakeborn, më e madhja – tregoi Benedikti XVI – e cila u bë abateshë, e shndërroi kuvendin në një qendër të jashtëzakonshme mistike, kulture, shkollë formimi shkencor e teologjik. Në këtë ambient, nga fundi i vitit 1250 hyri edhe motra e vogël, Matilde, fillimisht për vizitë tek motra e madhe, por pastaj, me dëshirën për t’u bërë edhe ajo murgeshë. E në këtë ambient, theksoi Papa, filluan të spikasnin cilësitë e larta shpirtërore të shenjtes së ardhshme:
“E shndritur nga dhurata hyjnore e vizioneve mistike, Matilde harton lutje të shumta. Është mësuese e doktrinës besnike të krishterë dhe shumë e përvuajtur, është këshilltare, ngushëlluese, udhëheqje në zgjedhjen e vendimeve…Murgeshat mblidheshin rreth saj për të dëgjuar Fjalën e Zotit, si pranë një predikatari… Shumë njerëz, jo vetëm të kuvendit, por edhe të tjerë, rregulltarë e shekullarë, të ardhur nga larg, dëshmonin se kjo virgjër shenjte i kishte liruar nga shqetësimet e se nuk kishin provuar kurrë kaq shumë ngushëllim, sa kur ishin pranë saj”.
Historia e mistikes mesjetare ka ardhur deri në ditët tona, falë një simotreje të Matildes, që quhej edhe ajo Gertrudë, e cila mblodhi pak nga pak çdo gjë që i thoshte shenjtja, Nga ato faqe, tha Papa, mësojmë këtë:
“…lutja e kundrimi janë humusi i gjallë i jetës së saj: mësimet, shërbimi ndaj të afërmit, rruga e fesë dhe e dashurisë i kanë këtu rrënjët dhe kontekstin e tyre… Të bën përshtypje aftësia e kësaj shenjtjeje për ta jetuar Liturgjinë në përmasat e ndryshme të saj, edhe në ato më të thjeshtat, duke e zbatuar në jetën e përditshme murgare”.
Matilde von Hakeborn u sëmur rëndë në vitet e fundit të jetës së saj 58-vjeçare. Në atë periudhë, pati një krizë të rëndë shpirtërore, por vizionet nuk pushuan. Pikërisht ato, shenjtja e ardhshme i quante “buka e saj e përditshme”, që shoqëronte Ungjillin:
“Nën udhëheqjen e Shkrimit të Shenjtë dhe duke u ushqyer me Bukën eukaristike, Ajo bëri një rrugë bashkimi intim me Zotin, gjithnjë duke i qëndruar besnike Kishës. Kjo është një ftesë edhe për ne, që ta intensifikojmë miqësinë me Hyjin, sidomos, përmes lutjes së përditshme e pjesëmarrjes së vëmendshme, besnike e aktive në Meshën Shenjte. Liturgjia është shkollë e madhe përshpirtërie”.







All the contents on this site are copyrighted ©.