Në Festën e Kryeengjëjve, Kisha na porosit: “Të jemi engjëj për njëri-tjetrin”.
Njerëzit duhet të bëhen e të jenë engjëj për njëri-tjetrin. Këtë na kujton Kisha
në festën e sotme të tre Kryeengjëjve: Mikelit, Gabrielit e Rafaelit. Këta kryengjëj
janë lajmëtarë ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet madhështisë së Zotit dhe nevojave
e mjerimit të bijve të ti: si Mikeli, i cili i krijon Zotit hapësira në shpirtin e
njeriut që nganjëherë tundohet të largohet nga Hyji; si Gabrieli, që e çon Krishtin
në zemrën e njeriut; si Rafaeli, mjeku që pastron dashurinë ndërmjet personave e që
shëron verbërinë e njeriut, i cili nuk është në gjendje t’i shikojë punët e qiellit.
Këtë thekson liturgjia e festës duke na shpjeguar se engjëjt janë lajmëtarë të Hyjit,
ata ia sjellin Zotin njerëzve, hapin qiellin e kështu hapin edhe tokën. Pikërisht
nga që rrinë pranë Zotit, engjëjt mund të qëndrojnë edhe pranë njeriut. Hapin qiellin
e tokën e i tregojnë njeriut kush është në të vërtetë, i zbulojnë atë, që nganjëherë
është e fshehur dhe e mbyllur në shpirtin e tij. I bëjnë thirrje njeriut të hyjë në
vetvete, duke e prekur nga ana e Zotit. Në këtë edhe ne duhet të bëhemi vazhdimisht
engjëj për njeri-tjetrin, engjëj që na largojnë nga rrugët e gabuara e na tregojnë
shtegun që na rikthen tek Zoti Dashuri. Duke kujtuar Shën Rafaelin, shëruesin e
plagëve në shpirtrat e njerëzve që nuk e njohin ose nuk duan ta pranojnë të vërtetën
dhe dashurinë e Zotit, sipas traditës kishtare Kryeengjëlli njihet për shërimin e
dashurisë njerëzore, sepse dëbon djajtë, që tronditin bashkimin martesor ndërmjet
burrit e gruas. E veç kësaj, u kthen të verbërve dritën e syve: “E dimë të gjithë
se sot kërcënohemi nga verbëria, që rrezikon të na pengojë për ta parë Zotin, për
ta shijuar dritën e tij, të verbuar siç jemi nga sendet materiale. E shërbimi i Rafaelit
është ta shërojë këtë verbëri përmes mesazhit të fesë dhe dëshmisë së dashurisë".
(Nga homelia e Benediktit XVI në Meshën e festës së Shenjtorëve Kryeengjëj, 29.09.
2007)
Kryeengjëlli Gabriel, që i kumtoi lindjen e Jezusit Nënës së tij, Virgjërës
Mari, është ai që shpreh dëshirën e Krishtit për të hyrë në zemrën e njeriut. Zoti
është tek porta, tek porta e botës e tek porta e çdo zemre. Gabrieli i solli Marisë
lajmin e amësisë së saj të jashtëzakonshme si dhe titullin “Hirëplote”, me të cilin
e përshëndeti Zojën e Bekuar. E Maria i dha një përgjigje që vijon të jehojë në zemrat
e të gjithëve: “Duke qenë e dashur nga Zoti, Maria është plotësisht aktive,
sepse e pranon me gatishmëri personale valën e dashurisë që Hyji ndikon mbi të. Edhe
në këtë gjë ajo është nxënëse e përkryer e të Birit i cili, me nënshtrimin ndaj Atit,
realizon plotësisht lirinë e vet (...) Përballë misterit të këtyre dy përgjigjeve
“Ja ku jam” të Krishtit e të Virgjërës, që pasqyrohen njëra tek tjetra e formojnë
një Amen të vetëm përpara vullnetit të Zotit, ne mbetemi të mahnitur e, plot mirënjohje,
adhurojmë”. (Nga homelia e Benediktit XVI në Meshën më 25 .03. 2006).
Pra,
pranimi i lajmit të Engjëllit të Tënzot nga Maria, krijon kushtet që lidhja e Besës
së re ndërmjet Zotit e njerëzimit të vuloset në mënyrë të përkryer. E pikërisht në
hapësirën hirplote të përgjigjes së saj pohuese Maria bëhet edhe Nënë e Kishës, aq
sa të përfshijë nën mantelin e saj çdo institucion e mbarështues, edhe misionin e
Pjetrit e të pasardhësve të tij.