2010-09-28 14:53:13

Papa i surprizave: sekretari i Benediktit XVI tregon për Atin e Shenjtë në “L’Osservatore Romano”


Për sekretarin e tij, don Georg Genshvain, Papa Benedikti XVI, gjatë pesë vjetëve të papnisë, ka ditur të paraqitet si “papë i surprizave”. Kështu shkruan në librin, që ai vetë e ka përgatitur, e që titullohet “Benedikti XVI urbi et orbi: me Papën në Romë e nëpër rrugët e botës”, botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, për të cilin, don Genshvajn mori më 25 shtator, në Anakapri, çmimin “Kapri Shën Mëhilli 2010”.
Në fjalën që mbajti me rastin e dhënies së çmimit, botuar në gazetën “L’Osservatore Romano”, don Georg nënvizon se Papa na ka habitur të gjithëve: “së pari për lehtësinë me të cilën mori përsipër detyrën e paraardhësit të tij Gjon Pali II, duke e interpretuar në një mënyrë të re, por gjithnjë plot gjallëri… Njëkohësisht – vazhdon sekretari personal i Papës – na ka habitur fakti se prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, me ngrohtësinë e thjeshtësinë e tij, kaq të natyrshme dhe të vërtetë, arrin, pa ndonjë përpjekje të madhe, të fitojë zemrat e njerëzve”.
Sipas don Georgut, i papritur ishte edhe guximi, që qartësisht karakterizon papninë e Jozef Racinger. Benedikti XVI nuk u largohet debateve e konfrontimeve, i quan me emër mungesat e gabimet e Perëndimit, kritikon dhunën, që pretendon të justifikohet me anë të fesë, nuk pushon së na kujtuari se me hedonizmin dhe relativizmin, si edhe me imponimin e fesë me dhunë e kërcënime, i kthejmë krahët Zotit. Në qendër të shqetësimeve intelektuale të Papës qëndron çështja e marrëdhënieve ndërmjet fesë e arsyes; ndërmjet fesë dhe largimit nga dhuna.
Për Benediktin XI, shkruan don Genshvajn, “riungjillëzimi i Evropës dhe i krejt botës do të jetë i mundur vetëm kur njerëzit ta kuptojnë se feja e arsyeja nuk janë në kontrast, por në marrëdhënie ndërmjet tyre. Feja, që nuk matet me arsyen, bëhet e parsyeshme e pa kuptim. E anasjelltas, konceptimi i arsyes si diçka, që njeh vetëm ç’mund të matet, nuk mjafton për të kuptuar krejt realitetin. Arsyeja i lë hapësirë fesë e feja duhet të dëshmojë arsyen, që të dyja të mos kufizohen në horizontin e ngushtë vetjak. Në fund të fundit, Papës i intereson të ripohojë bërthamën e fesë së krishterë: dashuria e Zotit për njeriun, që gjen në vdekjen në kryq të Jezusit e në ngjalljen e Tij shprehjen e vet të pakrahasueshme”.
“Megjithëse sytë e telekamerat drejtohen nga Papa – përfundon don Georg Genshvajn, sekretari i Benediktit XVI – nuk është fjala vetëm për të. Ati i Shenjtë nuk vë kurrë në qendër vetveten, nuk shpall vetveten, por Jezu Krishtin, shëlbuesin e vetëm të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.