2010-09-28 14:49:36

Një Papë i butë, por i vendosur, besnik ndaj traditës e i gatshëm për rinovim. 32 vjet më parë shuhej Gjon Pali I


(28.09.2010 RV)32 vjet më parë, më 28 shtator 1978, shuhej Papa Albino Luçiani, pas vetëm 33 ditë papnie. Ishte 65 vjeç. Qëndroi në fronin e Shën Pjetrit për një kohë tejet të shkurtër, por që i mjaftoi për të fituar dashurinë e njerëzve, besimtarë e jo. Benedikti XVI e ka quajtur shpesh njeri “të ëmbël e të butë”, por njëkohësisht “të fortë në fe, të vendosur në parime, gjithnjë gati të mirëpriste me buzëqeshje”.RealAudioMP3
“Si meshtar, si ipeshkëv e si Papë – nënvizon Jozef Racinger – ishte i palodhur në veprimtarinë baritore, duke nxitur vazhdimisht klerin dhe laikët të ndiqnin… idealin e vetëm të përbashkët të shenjtërisë. Mësues i së vërtetës e katekist i apasionuar, u kujtonte besimtarëve, me thjeshtësinë tërheqëse, që e karakterizonte, impenjimin e gëzimin e ungjillëzimit, duke theksuar bukurinë e dashurisë së krishterë, forca e vetme, në gjendje të mundte dhunën e të ndërtonte njerëzimin vëllazëror”. Por ishte “përvuajtëria”, karakteristika kryesore e Gjon Palit I, vëren Papa aktual. “Humilitas” ishte motoja e tij ipeshkvnore, e për Gjon Palin I ky ishte një virtyt i domosdoshëm për ata që janë të thirrur në krye të Kishës:
“Në një nga katër audiencat e përgjithshme të mbajtura gjatë papnisë së tij tejet të shkurtër, tha ndër të tjera, me tonin familjar që e dallonte: “Po kufizohem në rekomandimin e një virtyti, shumë të dashur për Hyjin, i cili na ka thënë: mësoni nga unë, që jam i butë e me zemër të përvuajtur… Edhe nëse keni bërë gjëra të mëdha, thoni: jemi shërbëtorë të padobishëm. E vërejti: ‘Përkundrazi, prirja jonë është e kundërta: të dukemi’ (Mësimet e Gjon Palit I, f. 51-52). Përvuajtëria mund të konsiderohet testamenti i tij shpirtëror. Falë këtij virtyti, mjaftuan 33 ditë, që Papa Luçiani t’u hynte njerëzve në zemër” (Lutja e Engjëllit të Tënzot 28 shtator 2008)
Një nga pjesët ungjillore më të preferuara për Gjon Palin I ishte thirrja e Jezusit: “nëse nuk ktheheni e nëse nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit”. E Benedikti XVI e kujton kështu në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 28 shtator 2008:
“Duhet të ndjehemi të vegjël para Zotit’, tha po në atë audiencë. E shtoi: ‘Nuk kam turp të ndjehem si fëmijë para nënës: i besohet nënës, unë i besoj Zotit, asaj që Ai më ka zbuluar’ (ivi, f. 49). Këto fjalë tregojnë thellësinë e fesë së tij. Ndërsa falenderojmë Zotin, që ia dhuroi Kishës e botës, të mësojmë nga shembulli i tij, duke u impenjuar t’i ngjajmë në atë përvuajtëri, e cila e bëri të aftë t’u fliste të gjithëve, sidomos më të vegjëlve e më të largtëve” (Lutja e Engjëllit të Tënzot 28 shtator 2008)
Benedikti XVI kujton së fundi, edhe përkushtimin e Albino Luçianit për Zojën:
“Kur ishte Patrik i Venedikut, shkroi: ‘Është e pamundur ta kuptojmë jetën tonë, jetën e Kishës, pa rruzaren, pa festat mariane, pa shenjtëroret mariane e pa figuret e Zojës’. Është bukur ta pranojmë këtë ftesë, siç bëri ai, duke i besuar përvuajtërisht shën Marisë sekretin e qetësisë së përditshme e të impenjimit me fakte për paqen në botë”. (Fjala e 8 tetorit 2006)







All the contents on this site are copyrighted ©.