2010-09-28 15:56:09

Fillon në Zagreb, plenarja e ipeshkvijve evropianë: në plan të parë familja dhe kriza demografike


(28.09.2010 RV)Kriza demografike dhe ajo e institucionit familjar janë dy fenomene të lidhura ngushtë, që përbëjnë problem serioz për shoqërinë e sotme. Kjo është arsyeja, që i ka shtyrë ipeshkvijtë evropianë t’ia kushtojnë asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Konferencave ipeshkvnore të Evropës këtyre tematikave. Asambleja do të hapet të enjten, më 30 shtator në Zagreb të Kroacisë e do të përfundojë të dielën, më 3 tetor. Në të do të marrë pjesë edhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita.
Në paraqitjen e temës, kreu i ipeshkvijve evropianë, kardinali hungarez Peter Erdë theksoi se familja është pasuri themelore për krejt shoqërinë, por sot, kërcënohet nga kultura egoiste, relativiste dhe e orientuar vetëm drejt mirëqënies materiale të çastit. Kisha Katolike po e diskuton prej kohësh këtë argument, duke theksuar uljen e numrit të lindjeve, që çon pashmangshëm drejt plakjes së popullsisë. Për këtë arsye, ajo ndjen nevojën t’u bëjë thirrje qeverive të Evropës të bëjnë ç’është e mundur për të shmangur shkatërrimin e indit shoqëror e kulturor. Rrugët e treguara nga Kisha për zgjidhjen e problemit janë pa dyshim, politikat që marrin parasysh nevojat e familjes për rritjen e fëmijëve.
Ndër temat e tjera në rendin e ditës së mbledhjes në Zagreb, dialogu me institucionet evropiane mbi problemin e sekteve, prania e ciganëve në territorin e Bashkimit Evropian dhe Dita Botërore e Rinisë, në program në gusht 2011 në Madrid. Në Asamble do të paraqiten edhe rezultatet e veprimtarisë së Observatorit mbi rastet e diskriminimit dhe të intolerancës ndaj të krishterëve në Evropë. Më 1 tetor, kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore pjesëmarrëse do të priten nga kreu i shtetit kroat, Ivo Josipoviç.








All the contents on this site are copyrighted ©.