Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Zoti i do të varfrit e kërkon prej nesh t'i
duam të tjerët e t’u shërbejmë atyre.
“Zoti i do të varfrit” e “fati i amshuar”, si dhe lumturia e çdo njeriut varët nga
vullneti i tij për të ndjekur udhën e dashurisë e për të vepruar mirë në përkim me
vullnetin e Hyjit, duke qenë solidarë më varfrit e nevojtarët gjatë jetës tokësore.
Me këto fjalë thënë në lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot në Kastelgandolfo, pasi
që të enjten e ardhshme Papa do të kthehet në Vatikan, Benedikti XVI vuri në pah sjelljen
tipike të besimtarit të krishterë, të frymëzuar nga Ungjilli i së dielës, që paraqiti
shëmbëlltyrën e Lazrit të varfër e të pasanikut. E si shembuj të dashurisë dhe të
bamirësisë për jetën e përditshme Papa para lutjes mariane, foli për shën Vinçencin
Paoli, festën e të cilit Kisha e kremton sot, që përkon edhe me 350 vjetorin e vdekjes
së tij, e për Kjara Badano, vajza e re piemonteze, e cila u shpall dje e lume në Romë. Egoizmi
e thanë shpirtin deri në humbje. Dashuria – jo në kuptimin e ndjenjës sipërfaqësore,
por dashuria bamirëse që shndërrohet në shërbim të të varfërve – na bënë të jetojmë
më të vërtet e të fitojmë pavdekshmërinë. Mesazhi i qartë që vjen nga shëmbëlltyra
e famshme, Lazri që ushqehet me teprica të tryezës së pasanikut e pandjeshmëria e
Pasanikut ndaj të varfit, na transmeton jehonën e mesazhit që nuk le hapësirë kompromisi
e dyshimi. Mesazhi ungjillor i kësaj shëmbëlltyre, pohoi Benedikti XVI, nuk flet vetëm
për përdorimin e drejt apo të gabuar që mund të bëhet me pasurinë, por nënvizon faktin
që “Zoti na flet përmes Shkrimeve të Shenjta” e se duhet “të jetojmë sipas vullnetit
të tij hyjnor, përndryshe pas vdekjes, do të jetë tepër votë për t’u penduar e përmirësuar
gjendjen”: “Prandaj, kjo shëmbëlltyrë na thotë dy gjëra: e para është kjo se
Zoti i do të varfri dhe i ngrit nga përulja e përbuzja e tyre; e dyta është se fati
jonë i amshuar kushtëzohet nga qëndrimi dhe sjellja jonë, e na takon pikërisht neve
ta ndjekim udhën që Zoti na ka treguar, për të arritur në jetën e plotë e të vërtet,
e kjo udhë është dashuria, jo në kuptimin e ndjenjës, por si shërbim ndaj tjerëve,
në dashuri të Krishtit”. Prej dymijë vjetësh, shembulli i njerëzve që kanë
jetuar plotësisht në përkim me këtë ideal të dashurisë e të bamirësisë e ndriçon
historinë e Kishës. E këtu Papa citoi dy shembuj, një nga lashtësia e një nga koha
jonë. Figura e parë që Ati i Shenjtë përmendi është ajo e shën Vinçencit Paoli, që
kremtohet sot nga liturgjia Kishtare, e që sivjet përkon me 350 vjetorin e vdekjes
së tij. Shën Vinçenci, kujtoi Papa, themeloi “Bijat e Dashurisë”, kongregata e parë
femërore që jetonte përkushtimin e shugurimin “në botë”, në mesin e njerëzve, me të
sëmurë e nevojtarë dhe është pajtori qiellor i organizatave bamirëse katolike: “Në
Francën e 1600, ai e preku personalisht me dorë kundërshtinë e fortë që ekzistonte
ndërmjet më të pasurve e më të varfërve. Në të vërtet, si meshtar, shën Vinçenc de’
Paoli pati rastin të frekuentonte si ambientet aristokratike, po kështu edhe fshatrat,
si dhe shtresat më të varfra e të mënjanuara të Parisit”. “I shtyrë nga dashuria e
Krishtit, Vinçenci de’ Paoli diti të organizonte forma të qëndrueshme të shërbimit
për njerëzit e përbuzur e të mënjanuar, duke krijuar të ashtuquajturat ‘Charit’es’,
‘Bamirësitë’, që do të thotë grupet e grave që ofronin kohën dhe të mirat e tyre
duke i vënë në dispozicion të të varfërve e të mënjanuarve”. Shembulli i dytë,
është Kjara Badano që u lartuar dje në nderimet e elterit si shembull dashurie e bamirësie.
Kjo vajzë e re italiane që vdiq në moshën 19 vjeçare më 1990 pas një sëmundje të rëndë
e të pashërueshme. Kjara Badani ishte e dashuruar në Krishtin e në Kishë, edhe pse
pati një jetë të shkurt, ajo “qe për gjithë – tha Papa – një rreze drite, siç thotë
edhe emri me të cilin e thërrisnin: “Kjara Dritë”: “Famullia e saj kishtare,
dioqeza e Acqui Terme dhe Lëvizja e Fokolarinëve, së cilës i përkiste, janë në festë
– dhe është festa e të gjithë të rinjve, që mund të gjejnë në të shembullin e koherencës
së krishterë. Fjalë e saj e fundit, plotë aderim ndaj vullnetit të Zotit, kanë qenë:”Nënë,
ciao. Të jesh e lumtur sepse edhe unë jam”. Ta lëvdojmë Zotin, sepse dashuria e tij
është më e fortë se e keqja dhe vdekja; ta falënderojmë Virgjërës Mari që t’u prij
të rinjve, edhe ndër vështirësi e vuajtje, që të dashurohen në Jezusin e të zbulojnë
bukurinë e jetës”.