2010-09-27 16:02:32

Papa, Kongresit të Shtegtimeve e të Shenjtëroreve: papnia ime është shtegtim për të sjellë Zotin në botë me shpresë e thjeshtësi.


(27.09.2010 RV)Shenjtëroret të jenë “fanarë bamirësie e dashurie”, ku të takojmë Zotin, që nuk na le kurrë vetëm në rrugën tonë: kështu pohon Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Kongresin botëror të Baritorisë së Shtegtimeve e Shenjtëroreve, i cili filloi sot në Santiago de Kompostela. Takimi ka në qendër temën “Ai hyri për të ndenjur me ta”, marrë nga pjesa ungjillore e dishepujve të Emausit.
Shenjtëroret, shkruan Ati i Shenjtë, duhet të punojnë në favor të më të varfërve, përmes veprave të solidaritetit e mëshirës e përmes gatishmërisë për të folur e për t’i dëgjuar këta njerëz. Papa shpjegon se edhe papninë e tij e ka konceptuar, që në fillim, si shtegtim në rrugët e botës, me shpresë e thjeshtësi, me mesazhin shëlbues të Krishtit në gojë e në zemër, për të përforcuar vëllezërit në fe. Si shenjë e qartë e këtij misioni, vazhdon Benedikti XVI, në stemën e papnisë, ndër elementet e tjera, figuron edhe guacka e shtegtarit. Më pas, kujton se së shpejti do të shkojë pikërisht si shtegtar në Santiago de Kompostela, vend ku po zhvillohet kongresi. Në këtë moment historik, shton Papa, jemi të thirrur të ungjillëzojmë botën me forcë edhe më të madhe se më parë, e shtegtimi në shenjtëroret botërore sjell pasuri shpirtërore të pakrahasueshme.
Vërtet, vëren Papa, ndryshe nga vagabondi, që nuk ka ndonjë drejtim të caktuar, shtegtari ka gjithnjë një qëllim, pavarësisht se nganjëherë nuk është krejtësisht i vetëdijshëm për këtë. Ky qëllim, nuk është tjetër, veçse takimi me Zotin përmes Jezu Krishtit, në të cilin gjejnë përgjigje të gjitha pyetjet tona. Prandaj, kremtimi i Eukaristisë është çasti kulmor i shtegtimit.
Benedikti XVI nuk harron të nënvizojë se në shenjtërore duhet të sillemi me përkushtim, respekt e pa teprime. Së fundi, thekson se shtegtimi është edhe rasti i përshtatshëm për të bashkëndarë me të tjerët përvojën e mrekullueshme të dashurisë së Zotit e të dëshmisë së kësaj dashurie.







All the contents on this site are copyrighted ©.