2010-09-27 10:36:15

Në Stubëll mbahet manifestimi fetar e kulturor "Takimet e Dom Mikelit"


Manifestimi i përvitshëm fetar e kulturor “Takimet e dom Mikelit” që u mbajt të shtunën e kaluar në fshatin Stubëll të Kosoves, është një ndër ngjarjet më të rëndësishme që organizohen në komunën e Vitisë dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme edhe për ipeshkvinë e Kosovës, në shenjë të nderimit dhe respektimit të fillimit të punës së shkollës së parë shqipe në Kosovë, hapur në objektin e Kishës së vjetër katolike të Stubllës më 1584 dhe mësuesit të parë të kësaj shkolle Dom Mikel Tarabulluzit.
Qe prifti kosovar don Rrok Gjonlleshaj, ideatori e nismëtari i kësaj ngjarje shpirtërore e fetare,ai i cili më 28 shtator 1991 për herë të parë organizoi “Takimet e Dom Mikelit”, si famullitar i atëhershëm i bashkësisë Kishtare të Shën Jozefit në Stubllë.
E të shtunën e kaluar, manifestimi tradicional fetar e kulturor “Takimet e Dom Mikelit”, shënoi 20 vjetorin e organizimit. Ngjarja e parë e këtij manifestimi qe Meshës e Shenjtë kremtuar në orën 10:00 nga don Lush Gjergji, Vikar gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës. Pas Meshe programi i manifestimit vijoi me tribunën kulturore, me kumtesën e paraqitur të don Lush Gjergjit mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes së të Lumes Nënës Terezë.
Risia e manifestimit të sivjetmë qe edhe zbulimi i Memorialit të Martirëve të Karadakut si dhe shpallja zyrtare e Muzeut Kombëtarë të Shkollës së Parë shqipe në Kosovë.
Ministri kosovar i kulturës, rinisë e sportit, z. Lutfi Haziri, bëri shpalljen e Muzeut Kombëtar të Shkollës së Parë shqipe në Kosovë. Në bazë të njohurive tona, mbështetur në të dhëna të studiuesve të shumtë, vendorë e të huaj, Ipeshkvia e Kosovës konfirmon si Shkollë të Parë Shqipe, shkollën në fshatin Stubëll të Epërme.
Funksionimi i kësaj shkolle, me ndërprerje të herëpashershme, për shkak të rrethanave historike në të cilat u gjend populli shqiptar, përcillet që nga viti 1584, i njohur si Kolegji i Shën Lukës, themelet e të cilit deri vonë janë ruajtur nga banorët vend për të vazhduar deri më 1905 kur Stublla pavarësohet si famulli. Ky vit ndërkaq shënon edhe mbështetjen financiare të shkollës nga ana e Austro-Hungarisë, së këndejmi dhe njohjen ndërkombëtare të saj.
Po kështu u bë zbulimi i Memorialit të Martirëve, nga znj. Nurije Hoxha, përfaqësuese e Ambasadës së Francës në Prishtinë.
Më pas siç është bërë traditë u zhvillua edhe “Ora e madhe letrare”, ndarja e çmimit “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira si dhe çmimi i kompozitorit Akil Koci.
nga Prishtina njofton don Albert Jakaj







All the contents on this site are copyrighted ©.