Më 27 shtator, kalendari Kishtar përkujton Shën Vinçencin e Paolit.
(27.09.2010 RV)Do të na duhej një kohë e gjatë vetëm për të lexuar listën e veprave
bamirëse që themeloi gjatë jetës së Tij, Imzot Vinçenci, siç e thërrisnin besimtarët,
meshtar e themelues Nuk është e lehtë, prandaj, të flasësh për klerikun francez, lindur
në Poi të Gaskonjës (Francë) më 24 prill 1581, shuguruar meshtar në moshën 19 vjeçare.
Menjëherë pas shugurimit, u burgos nga muhamedanët, të cilët e mbajtën në burg për
dy vjet me radhë. Kur u lirua, kishte arritur ta kthejë në fenë e Krishtit njeriun
që e ruante. Djaloshi, i cili në vendlindje, në Poi, pati ruajtur derrat, u ngjit
shumë shpejt në shkallët më të larta të shoqërisë. I sapodalë nga burgu, u nis për
në Paris, ku u caktua kapelan i mbretëreshës Margerita e Valuasë. Njohu, këtu, së
afërmi, kardinalin Rishelië, Mbretëreshën reggente, Anën e Austrisë dhe Lugjin XIII,
që e deshi pranë në shtratin e vdekjes. Guxoi t’i fliste ballë për ballë e me zë
të lartë për mjerimin e popullit kardinalit Rishelië, të cilin e kishin frikë të gjithë.
“Imzot - i tha – kini mëshirë për ne. Na e jepni paqen!”. Më pas, në ditët e errëta
të Frondës, kur Parisi ngriti barrikada e kardinali Maxarino deshi të përdorte armën
e urisë, për të mposhtur rebelimin, Vinçenci organizoi një mensë, në të cilën çdo
ditë shuanin urinë më se 2000 vetë. Pastaj i hipi kalit e vrapoi në Shën Zhermen për
t’i thënë Maxarinit: “Imzot, largohuni, flijojeni veten për të mirën e Francës!”. Njeri
praktik, i pamposhtur, i thjeshtë si fshatar, i pajisur me humor të hollë e sidomos
me aftësi për të realizuar vepra të mëdha, u thoshte meshtarëve të Shën Lazrit: “Ta
duam Zotin, vëllezërit e mi, por ta duam me shpenzimet tona, me mundin e krahëve tonë,
me djersën e ballit tonë”. Duke e ditur mirë se të varfrit vuajnë më tepër për
shkak të mungesës së rregullit në organizimin e bamirësisë, sesa për shkak të paaftësisë
së njerëzve bamirës, siguroi nga Mbretëresha vendin e Ministrit të Bamirësisë dhe
organizoi ndihmat për të varfrit në shkallë kombëtare. Thuhet se nëpër duart e tij
kalonin çdo ditë më shumë para sesa në duart e ministrit të financave. Por në bankën
e tij të bamirësisë kapitalet nuk shteronin kurrë. Katër janë institutet kryesore
të themeluara prej shenjtit: “Bashkvëllazëria e Zonjave të Bamirësisë”, “Shërbëtorët
e të varfërve”, “Bashkëvëllazëria e Priftërinjve të Misionit (ose lazaristët, të cilëve
u besoi misionin e dyfishtë të jepnin ndihmesën për përgatitjen e meshtarëve të ardhshëm
dhe për organizimin e predikimeve të përshtatshme për fshatarët) dhe “Bijat e bamirësisë”. Vdiq
në Paris më 27 shtator 1660; u shpall shenjt më 1737.