2010-09-27 16:02:03

Kosovë: Presidenti Sejdiu dha dorëheqje pse ka shkelur kushtetutën


Presidenti i Kosovës dr. Fatmir Sejdiu dha sot dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës. Lajmi e dha personalisht Sejdiu gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp, duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ku pohohet se ai "ka shkelur seriozisht Kushtetutën". Vendimi i Gjykatës është bazuar mbi faktin se Sejdiu ka mbajtur dy poste, atë të Presidentit të Kosovës dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse ai pohoi se mbajtja e postit të ngrirë të kreut të partisë nuk përbënte ndonjë shkelje. Presidenti Sejdiu dha doerheqje per te respektuar vendimet e organeve të drejtësisë së Vendit.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës me shumicë votash ka vendosur që Fatmir Sejdiu ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës duke krijuar konfliktin e interesave me mbajtjen njëkohësisht të postit të Presidentit të Republikës dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kujtojme se Fatmir Sejdiu në postin e Presidentit është zgjedhur për herë të dytë në janar të vitit 2008, me mandat pesëvjeçar. Po më hollësitë, të dëgjojmë Rabije Ibrajn nga Prishtina.. RealAudioMP3
Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, iu drejtua sot qytetarëve të vendit me një deklaratë, me rastin e dorëheqjes nga posti i kreut të shtetit, duke thënë se funksionin e Presidentit të Republikës së Kosovës e ka ushtruar "me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur". Në vazhdim po japim tekstin integral të kësaj deklarate. - Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur. Unë tërë jetën time i kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë. Për t'u dhënë me besim dhe devotshmëri pas këtij përcaktimi jetësor e profesional, gjithherë kam pasur udhërrëfyes dhe mbështetje të fuqishme traditën time familjare dhe të popullit tim, si dhe të miqve të Kosovës. Edhe ky akt imi i sotëm rikonfirmon përkushtimin tim për të treguar këtë respekt ndaj institucioneve dhe vendimeve që marrin ato. Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës, Vitet e gjata të punës sime si profesor universitar, si dhe përvoja ime shkencore dhe profesionale, më kanë motivuar të jem në procese thelbësore politike, nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe populli ynë. Kur kthehem të shoh të kaluarën, ndjehem krenar se i kam dhënë edhe unë një vlerë modeste procesit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Gjatë këtyre viteve si President i vendit, kam pasur rastin të punoj për së afërmi në procesin e hartimit të aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pikërisht për shkak të kësaj përvoje, debateve dhe vendimeve që janë marrë gjatë atij procesi, përkrahjes e konsultimeve të vazhdueshme, si dhe marrëveshjes me forcat politike në vend dhe me faktorin ndërkombëtar, unë kam besuar se mbajtja e postit të Kryetarit të LDK së, duke mos e ushtruar atë funksion, siç e përcakton Kushtetuta, nuk përbën shkelje të kësaj Kushtetute. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe, dhe unë e respektoj këtë vendim, pavarësisht faktit se ende nuk më është dorëzuar aktgjykimi i Gjykatës me arsyetim. Gjatë këtyre viteve si President i Republikës, kam punuar me gjithë dijen dhe energjinë time që Republika e Kosovës të ndërtojë institucione të lira dhe demokratike. Kam punuar që zëri juaj, të dashur qytetarë, të dëgjohet kudo në botë. Kam folur dhe jam angazhuar për vizionin dhe ëndrrat tuaja, për përpjekjet shekullore të popullit tonë për të jetuar i lirë dhe për të pasur një të ardhme më prosperuese në gjirin e familjes së madhe të kombeve të lira. Natyrisht, në këtë rrugë, jam ballafaquar me sfida të shumta, të cilat i kam kapërcyer me kurajo qytetare dhe me përgjegjësi institucionale. Në politikë kam qenë gjithmonë ithtar i vendimeve të urta. Nuk kam përkrahur asnjëherë aktet e dhunës dhe të presionit, gjuhën e urrejtjes dhe të mostolerancës. Edhe në karrierën politike, jam udhëhequr nga parimet etike, nga të cilat nuk do të heq dorë asnjëherë as në të ardhmen. Proceset politike në të kaluarën tonë nuk ishin të lehta. Ende në shoqërinë tonë ka nevojë për të rritur forcën dhe potencialin e demokracisë. Në lëvizjen tonë politike kemi shembull të jashtëzakonshëm se çfarë mrekullie mund të bëhet kur bashkohen shpirti demokratik, vizioni qytetar dhe funksionalizimi i të gjitha vlerave të një kombi dhe vendi. Më lejoni të kujtoj, të dashur qytetarë, se gjatë viteve '90, derisa Presidenti ynë historik, dr. Ibrahim Rugova, fliste për pavarësinë e vendit, për vendosjen e trupave të NATO s, për protektoratin ndërkombëtar, për ndërtimin e autostradës Durrës Prishtinë, shumë njerëz, madje me përbuzje, këto ide i quanin utopike. Por ju, populli i Kosovës, gjithnjë u besuat fjalëve dhe vizionit të tij largpamës. Dhe, për fat, koha e tregoi se ai kishte të drejtë. Fuqia e vizionit të Presidentit Rugova ishte pikërisht moskthimi mbrapa për t'i parë ata që e shanin, që e fyenin dhe e përbuznin për përfitime personale apo klanore. Ai shihte më larg dhe më kthjellët dhe prore kishte besimin tek liria dhe demokracia. Të dashur qytetarë: Para pak kohësh, para Parlamentit të Republikës së Kosovës kam thënë se: 'Në sistemet demokratike, konjukturat politike vijnë e shkojnë. Ajo që mbetet është vlerësimi i qytetarit për to. Konjukturat politike vlejnë aq sa arrijnë të fitojnë besimin e qytetarit, i cili është sovrani i një vendi, është përcaktuesi i peshës politike të secilit. Ne jemi kalimtarë, i përhershëm është vetëm interesi i qytetarit, është atdheu ynë. Përjetësia e tij është mbëltuar nga baballarët tanë, nga njerëzit e mirë të Kosovës që punuan dhe u flijuan shekuj me radhë për të. Meqenëse ne, si brez, të rinj e të moshuar, patëm fatin e madh të jetojmë shekullin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, njëkohësisht jemi të dënuar të bartim, edhe peshën e madhe të suksesit apo të mossuksesit. Pra, ne mbase kemi qenë më fatlumët e gjithë brezave, por duhet të punojmë shumë që të kujtohemi për vepra të mira. Vetëm ju ftoj që ta kemi parasysh së bashku se kujtimin që ua lëmë gjeneratave të ardhshme, qoftë për mirë, qoftë për keq, e shkruajmë vetë'. Unë do të vazhdoj t'i mbetem besnik kësaj motoje. Besoj fuqishëm se ky akt imi i sotëm është në interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur, Republikës së Kosovës. Edhe nga këtu, ritheksoj përkushtimin tim të plotë se nuk do t'i kursej energjitë dhe dijen time për ndërtimin dhe zhvillimin demokratik të vendit dhe për integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fqinjësi të mirë me vendet e rajonit, si partner i përkushtuar për paqe dhe stabilitet. Nuk do të kursehem asnjëherë për të punuar për sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si shtet me institucione ku respektohet ligji dhe ku secili qytetar do të jetë i barabartë para tij. Me këtë rast, ju falënderoj, Juve qytetarë të respektuar, për përkrahjen Tuaj. Po kështu, falënderoj edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për besimin që kanë pasur dhe që kanë në mua. Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës, Ne bashkërisht kemi edhe shumë punë për të bërë për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Puna jonë nuk ndalet. Para nesh mbeten shumë sprova, por ne do t'i kalojmë ato, ashtu si gjithmonë me kurajo, urtësi dhe punë. Ne të gjithë bashkë e kemi detyrim dhe do të japim edhe më tej kontributin tonë thelbësor që vendi ynë të jetë pjesë e shoqërive dhe vendeve të qytetëruara, të lira e demokratike. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj! Zoti i bekoftë miqtë e Republikës së Kosovës!







All the contents on this site are copyrighted ©.