Benedikti XVI kujton figurën e shën Vinçencit de’ Paoli, apostullit të dashurisë
Papa kujtoi sot gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot në Kastelgandolfo figurën e shën
Vinçencit de’ Paoli, festa liturgjike e të cilit bie nesër. Duke folur mbi temën e
dashurisë, të bamirësisë si dhe të angazhimit të besimtarit nè favor të të varfërve
e nevojtarëve, Ati i Shenjtë Benedikti XVI përshkoi tiparet e këtij shenjti që veproi
në Francë në vitin 1600. “Nesër – tha Papa – do të kremtojmë përkujtimin liturgjik
të Vinçencit de’ Paolo, pajtorit qiellor të organizatave bamirëse katolike, të cilit
sivjet i bie 350 vjetori i vdekjes”. “Në Francën e 1600 – shtoi Papa – ai preku
me dorë e personalisht kundërshtinë e fortë ndërmjet më të pasurve e më të varfërve.
Në të vërtet, si meshtar, shën Vinçenc de’ Paoli pati rastin të frekuentonte si ambientet
aristokratike, si dhe fshatrat, si dhe shtresat më të varfra e të mënjanuara të Parisit”.
E shtoi: “I shtyrë nga dashuria e Krishtit, Vinçenci de’ Paoli diti të organizonte
forma të qëndrueshme të shërbimit për njerëzit e përbuzur e të mënjanuar, duke krijuar
të ashtuquajturat ‘Charit’es’, ‘Bamirësitë’, çka do të thotë grupet e grave që ofronin
kohën dhe të mirat e tyre duke i vënë në dispozicion të të varfërve e të mënjanuarve”. “Ndër
këto grupe vullnetaresh – tha akoma Papa – disa zgjodhën e vendosen t’ia përkushtonin
krejtësisht jetën Zotit e të varfërve, e kështu, së bashku me shën Luizën Marillak,
shën Vinçenci de’Paoli themeloi ‘Bijat e Dashurisë”, kongregatën e parë femërore për
të jetuar përkushtimin ‘në botë’, në mesin e njerëzve, me të sëmurë e nevojtarë”.