2010-09-25 15:29:07

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 26 shtator, Kisha kremton të dielën e 26-të gjatë vitit kishtar e po më 26 shtator kalendari përkujton edhe shenjtorët Kozmaj e Damjani, martirë dhe shën Nilin, abat, themelues i manastirit të Grottaferratës, afër Romës, në të cilin jetojnë e veprojnë murgjërit e shën Bazilit, të ritit bizantin. Ndër këta murgjër të shën Bazilit, ka edhe shumë arbëreshë.

Të hënën, më 27 shtator , kalendari kishtar përkujton shën Vincenc de' Paolin, meshtar, themelues i Kongregatës së Misioneve e të Bijave të Dashurisë, pajtor qiellor i të gjitha Shoqatave të Bamirësisë. Festa e tij na tregon se Jezusi erdhi në botë për ta çliruar njeriun nga shejtani. Fitorja e tij është e sigurtë, sepse ai është më i fortë. E si mund të mos mbajmë anën e tij? Kush e gënjen veten se mund të luftojë i vetem, jo vetëm që do të bjerë në kthetrat e së keqes, por nuk do të mund të çlirohet më prej saj.
Të martën më 28 shtator , kalendari kishtar përkujton shën Vençeslaun dukë i Bohemisë dhe shën Lorencin Ruiz me shokë, martirë. Përballë lajmeve që dëgjon për Jezusin, edhe Herodi mbetet me gojë hapur nga çudia. Për njerëzit e kohës, Krishti ishte profet i së kaluarës, i ngjallur përsëri. Në se edhe ne mendojmë kështu, gënjehemi keqas e rrezikohemi të mos e kuptojmë të renë që na sjell Jezusi, e cila nuk i përket një kohe të caktuar, por të gjitha kohërave, deri në ditën e fundit të botës.
Të mërkurën e ardhshme, më 29 shtator, Kisha na fton të bashkojmë zërat në korin e engjëjve në festën e Kryeengjëjve Mikelit, që do të thotë ‘Kush është si Zoti’; Gabrielit që do të thotë ‘forca e Hyjit’ e Rafaelit që do të thotë ‘ilaçi i Zotit’. Këta kryeengjëj na tregojnë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut.
Të enjten që vjen më 30 shtator do të kremtohet festa e Shën Jeronimit, meshtar e doktor i Kishës, që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet Fjalën Hyjnore. Gjithnjë të enjten kalendari kishtar përkujton edhe Shën Françesk Borgjia, jezuit.
Të premten më 1 tetor Kisha do të kremtojë Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve. Në liturgjinë e festës, profeti na kujton se Zoti bën mrekulli, që ne mund të na duken të pamundura, ndërsa më pas leximi i Ungjillit na siguron se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur e se praninë e tij e shikojmë vazhdimisht ndër fëmijët e në të gjithë njerëzit e pambrojtur.
Të shtunën më 2 tetor bie festa e Engjëjve të Rojës. Kjo e kremte na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj.
Të dielën e ardhshme më 3 tetor, Kisha kremton të dielën e 27-të gjatë vitit liturgjik, e po këtë datë kalendari kishtar përkujton edhe shën Kandiden, martire. Festës së Shën Kandidës martire, na nxit të meditojmë për detyrën tonë si të krishterë në ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Është thirrje themelore, që Jezusi na e përsërit çdo çast, duke na kujtuar se kjo thirrje duhet të na nxisë t’i duam të tjerët e jo ta ndjejmë veten më të mirë se ata.







All the contents on this site are copyrighted ©.