2010-09-25 15:30:54

Rubrika kushtuar Shëmbëlltyrave:
sot shëmbëlltyrat për mbretërinë e Zotit


Në qendër të emisionit tonë të 14-të, kushtuar shëmbëlltyrave do të flasim për shëmbëlltyra që i kushtohen mbretërisë hyjnore.
Për të mos kujtuar emrin e Zotit, Mateu përdor shprehjen ‘Mbretëria e qiellit”. Tri shëmbëlltyra tek Marku e tetë tek Mateu, nisin me fjalët “Mbretëria qiellit është e ngjashme me…”. E pikërisht Mbretëria e qiellit është themelore në kumtin e Jezusit, aq sa ajo, në ungjijtë sinoptikë, përmendet 83 herë. Me këtë shprehje kuptojmë se Zoti “mbretëron”, domethënë e merr në dorë historinë e njerëzimit, për ta bërë histori të çlirimit nga e keqja e për t’i shëlbuar të gjithë. Në mënyrë të posaçme, ata që vuajnë për shkak të mjerimit, të sëmundjes, të skllavërisë, imponuar nga forcat e së keqes, forca njerëzore e mbinjerëzore. Mbretëria e qiellit bëhet e pranishme përmes Vetjes, veprave e fjalëve të Jezusit, përmes vdekjes e ringjalljes së tij, e përmbushet plotësisht, me kthimin e Zotit në fund të kohëve.
Shëmbëlltyra e farës që hidhet, mbin e rritet, pa e ditur askush se si, (Mk 4,26-29) na mëson se mbretëria e Zotit realizohet në historinë njerëzore ‘në fshehtësi’, pa iu dukur syve njerëzor e duke krijuar përshtypjen se nuk po ndodh asgjë e re nën këtë qiell. Realizohet vetvetiu, e njerëzit nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndërtuar e as për ta rrënuar; për ta penguar e as për ta përshpejtuar. Njerëzit nuk mund ta ndalojnë kurrë rrjedhën e historisë: mbretëria vjen e do të vijë. Njeriu mund të bëjë vetëm një gjë: të lutet: “Ardhtë mbretëria jote”, e të presë me durim: “Të jeni të durueshëm, deri në ditën e ardhjes së Zotit” (Jak 5,7).
Shëmbëlltyra e farës së senapit (Mk 4,30-32) na mëson se mbretëria e Hyjit në historinë njerëzore nis pa kurrfarë buje, por sjell fryte të jashtëzakonshme. Shëmbëlltyra e tharmit (Mt 13,33) na mëson se pushteti i mbretërisë së Hyjit, ndonëse në të tashmen i fshehur, do ta shndërrojë mbarë gjithësinë, ashtu si tharmi shndërron miellin në bukë.
Së fundi, shëmbëlltyra e thesarit në arë (Mt 13,44) dhe e margaritarit me vlerë të madhe (Mt 13,45-46), që i shtyjnë tregtarët të shesin gjithë pasurinë, për t’i shtënë në dorë, na kujtojnë se mbretëria e Hyjit është vlera më e lartë, vlerë absolute, aq e çmuar, sa për ta fituar, duhet të flijohen edhe pasuritë më të mëdha.
Shenjtorët e shenjtoret ishin të gjithë ‘tregtarë” që, gjatë historisë së Kishës, braktisën gjithçka kishin pas shpirtit, domethënë: ëndrrat, ambiciet, mundësitë e ngjitjes në këmbët më të larta të shoqërisë njerëzore, për t’ia dhuruar gjithçka Hyjit. Bënë çmos për t’i treguar botës me të gjitha mënyrat, se i përkisnin Krishtit, thesarit të fshehur, për të cilin lanë gjithçka. Me bindjen se Zoti do t’i ndihmonte për ta zbuluar thesarin më të madh, atë të mbretërisë së Tij. Shembëlltyrat e mbretërisë së Zotit na kujtojnë se Jezu Krishti vlen shumë e, ndonëse ta ndjekësh nuk është aspak e lehtë, ia vlen të heqësh dorë nga çdo gjë tjetër. Zoti është margaritari i çmuar, që i jep vlerë të gjitha gjërave të tjera: familjes, studimit, punës, dashurisë njerëzore… vetë jetës. E Zoti nuk të merr asgjë, përkundrazi, të jep njëqindfishin. Zoti të dhuron atë që është ëndrra më e madhe e njerëzimit në shekuj: jetën e pasosur. Sepse Hyji është dashuri e pakufishme: i vetmi, që mund ta shuajë etjen e zemrave tona, duke na kujtuar se pasuria, ndonëse gjë e mirë në vetvete, nuk duhet shikuar si e mirë absolute. Duhet ta sundojmë, jo të na sundojë. Sepse nuk është ajo që na siguron shëlbimin, madje edhe mund ta rrezikojë seriozisht.
E pikërisht nga ky rrezik përpiqet të na largojë Krishti, duke na rikujtuar, përmes shëmbëlltyrave, se thesari më i madh për njeriun, është Mbretëria e Zotit..







All the contents on this site are copyrighted ©.