2010-09-25 12:23:09

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 26-të "C"


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, këtë herë do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është përmasa ungjillore e varfërisë shpirtëror: Jezusi dëshiron të na flasë për varfërinë ungjillore, për jetën e besimtarit që duhet të jetë në përkim me vullnetin e Hyjit e mësimet e Tij hyjnore. Shëmbëlltyra ungjillore e Lazrit të varfër tregon me qartësi dënimin sipas meritës apo sipas fajit që godet ata njerëz që jetojnë pa Zot dhe vetëm e vetëm për të grumbulluar pasuri materiale e kalimtare; vizioni i asaj që do të vijë në mbarim të ekzistencës sonë tokësore, duhet të na ndihmojë të kapërcejmë vizionin e jetës sipërfaqësore e të bazuar vetëm mbi pasuri e të mira materiale e njerëzore. Leximi i dytë i kësaj së diele marr nga Letra e parë e shën Palit drejtuar Timoeut (1Tim 6,11-16), duke vënë theksin mbi fenë në Zotin, na tërheq vëmendjen të ruhemi nga mashtrimi i pasurisë e ta kërkojmë vullnetin e Zotit. Duhet t’i lexojmë me shumë kujdes rreshtat e Fjalës së Zotit që shpallet në liturgjinë e kësaj së diele: “Nuk kemi sjellë asgjë në këtë botë” e “nuk do të bartim me vete asgjë” ( rr.7), apo: “Dashuria për para është rrënja e të gjitha të këqijave” (rr. 10).
Nuk ndryshon as mesazhi i Amosit profet në leximin e parë të kësaj së diele (Am 6,1°.4-7), i cili me vrull profetik shpall dënimin hyjnor mbi ata njerëz që, angazhohen vetëm për grumbullimin e pasurive e kujdesen për kënaqësinë e epsheve, ata që me pasuri mundohen të sigurojnë për vete të mira e nuk kujdesen më për “shkatërrimin që i kanoset Izraelit”; kështu ata do të jenë të parët që do të goditen nga dënimi hyjnor. Amosi qorton me një guxim të padëgjuar të pushtetshmit e Samarisë, që jetonin në luks e shfrenim duke mos u përkujdesur fare për jetën dhe fatet e Vendit e të popullit.
Ungjilli i kësaj së diele nga shën Luka (Lk 16,19-31) me shëmbëlltyrën e pasanikut trajton një temë të ngjashme, duke na çuar tek thelbi i mësimit të liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele. Veçanërisht domethënëse është përmbysja, ndryshimi rrënjësor i fatit të dy protagonistëve pas vdekjes së tyre: i pasuri zhytet në humnerën e ferrit, derisa Lazri i varfër bartet prej engjëjve në parajsë, pranë Abrahamit.
Leximet biblike e pastaj homelia nga At Anton Ndua OFM nga Gjakova
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Am 6, 1.4-7

Populli i Izraelit tani jeton në një tokë të qëndrueshme dhe të sigurt, ndërsa në të kaluarën ka jetuar si endacak nën çadra. Për shumë vite Hyji, duke e parë të poshtëruar dhe endacak, e ka mbrojtur dhe e ka ndihmuar.
Por tani mirëqenia dhe siguria ekonomike e bën këtë popull të ndihet i ngopur dhe i sigurt në kurriz të të varfërve. Edhe sot ekonomia jonë e konsumit e ndërtuar mbi mundimin e të tjerëve nuk ka bekimin e Hyjit.
Lexim prej Librit të Amosit profet
Kështu thotë Zoti i gjithëpushtetshëm: “Vaj për ata që janë të qetë në Sion, që janë të sigurt në mal të Samarisë, që janë paria e më të parit komb, kah të cilët shkon shtëpia e Izraelit! Fjetur në shtretër asht elefanti, sa gjerë e gjatë të shtrirë në shtroja të veta, hanë qengjat e njomë të grigjës e viça të zgjedhur të lorisë; me psalter të përcjellë këndojnë, shpikin vegla muzikore si Davidi, e pinë verë me gota të mëdha e lyhen me vajra të zgjedhur e për rrënimin e Jozefit s’janë në kujdes! Prandaj tash në mërgim do të shkojnë, mu në krye të gjithë mërgimtarëve, do të pushojë shoqëria e të shfrenuarve!”
Fjala e Zotit.
Psalmi 146
Lum skamnorët në shpirt
----- ----- -----
Zoti u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
----- ----- -----
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
----- ----- -----
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
----- ----- -----
Leximi i dytë 1 Tim 6, 11-16
Të shpallësh besimin tënd nuk do të thotë të recitosh fjalë të bukura. Gjëja e vetme që thyen indiferencën është një përvojë e gjallë dhe e vërtetë e Hyjit të krishterë.
I krishteri pohon me jetën e tij se e ka takuar dhe bëhet dëshmitar ashtu si Jezusi i Nazaretit, që përballë skepticizmit dhe refuzimit ka dëshmuar gjithmonë që ekziston një Hyj në ecjen e njeriut.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën e dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve! Të urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha sendeve, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit, mbaje urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai, i lumi dhe i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve, Ai që i vetmi e ka pavdekësinë, që banon në dritën e paafrueshme, të cilin asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s’mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm! Amen! Fjala e Zotit.

ALLELUJA, alleluja.
Të lumët ju që tani keni uri, thotë Zoti, sepse do të ngiheni.
Alleluja.
Ì Ungjilli Lk 16, 19-31

Jezusi shpall që në jetën e amshuar do të ndodhë përmbysja e vlerave. Të varfërit dhe të pasurit i dhurohet një fat ndryshe nga ai që kishin në jetën tokësore: Lazri tani gëzon të mirat në qiell. I pasuri është i torturuar në ferr.
Jezusi në lumturitë shpall të lumtur të varfrit, të uriturit, ata që qajnë, u jep atyre lajmin se janë të dashur prej Hyjit dhe deklaron se në Mbretërinë e Hyjit do të përmbyset mentaliteti i kësaj bote.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha farisenjve: “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqimisht si një ditë për ditë. Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër, që dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët. Vdiq skamnori, e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij, e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën, se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ Abrahami i përgjigji: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’
Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim et, se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ Abrahami i përgjigji: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’
I përgjigji: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish’.”
Fjala e Zotit.

Më shumë mbi programin kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu.......RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.