2010-09-25 12:23:30

Atë Zef Pllumi në 3-vjetorin e vdekjes


Përkujtojmë sot, françeskanin e shquar shqiptar, atë Zef Pllumi në 3-vjetorin e vdekjes.
At ZEF PLLUMI lindi në vitin 1924, në Malin e Rencit (Lezhë). Në vitin 1931 hyri në kolegjin françeskan të Shkodrës, ku ndoqi ciklin e arsimimit klasik, ku ndër të tjerë pati si mësues At Gjergj FISHTËN, Patër Anton HARAPIN, At Gjon SHLLAKUN. Gjatë viteve 1943-1944 ishte bashkëpunëtori më i ri i revistës Hylli i Dritës dhe sekretar personal i At Mati PRENDUSHIT. Ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Në moshën 22-vjeçare, në fund të vitit 1946, u arrestua dhe u dënua nga regjimi komunist me tre vjet burg, të cilat i vuajti në kampet famëkeqe të Bedenit dhe të Orman-Pojanit. Në vitin 1956 u shugurua meshtar. Për 12 vjet shërbeu si meshtar i Dukagjinit, me qendër në Shosh. Në vitin 1967 u arrestua përsëri dhe vuajti për 23 vjet dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme.
Me rrëzimin e regjimit totalitar rifilloi meshtarinë tek kisha e Shna Nout në Tiranë (25 dhjetor 1990). Nga viti 1993 rimori botimin e revistës Hylli i Dritës, e cila pati një ndërprerje në periudhën 1997-2003. Në këto vite shkroi dhe botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo” dhe “Ut heri diçebamus”. Ndërkohë, megjithë moshën e thyer dhe vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, punoi dhe për botime të tjera. Një ndër nismat e tij vlerëplota ishte dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave.
Në vitin 2006 u dekorua me Urdhrin “Nderi i Kombit”, “si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohrave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”. Në të njëjtin vit, Ministria e Kulturës e Shqipërisë nderoi At Zef PLLUMIN me çmimin letrar Penda e Artë për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue.
U nda nga jeta në moshën 83-vjeçare, në Romë, më 25 shtator 2007.







All the contents on this site are copyrighted ©.