2010-09-24 15:28:11

Konferencë shkencore Martin Camaj shkrimtari e filologu


Qendra e Studimeve Albanologjike organizon sot konferencën shkencore "Martin Camaj në kulturën shqiptare" me rastin e 85-vjetorit të lindjes së poetit, shkrimtarit, albanologut (1925-1992). 32 studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia, Gjermania referojnë nga 10 minuta secili në aktivitetin maratonë. Konferenca ndahet në dy seksione: studime që fokusohen në letërsinë e Camajt, në tiparet gjuhësore dhe estetike të veprave "Njeriu më vete e pa të tjerë" (1978), "Rrathë" (1978), "Karpa" (1987), "Loja mbasdrekës" (1981), "Kandili argjendit" etj..
Në seksionin e dytë, studiuesit referojnë për kontributin e Camajt në gjuhën shqipe dhe albanologji me vepra si "Formimi i fjalëve në shqipe" (1969), "E folmja arbëreshe e Greçit në provincën e Avelinos" (1977) etj..
Me kaq përfundon aktiviteti që Qendra e Studimeve Albanologjike mban për Martin Camajn. Ky institucion nuk jep asnjë kontribut për botimin e plotë të veprës e cila po përgatitet këto kohë nga gjuhëtari Bardhyl Demiraj dhe përkthyesi i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, Hans-Joachim Lanksch.
Edhe aktiviteti i mbajtur me këtë rast tkurret në një ditë të vetme për të kursyer financat.
Pak kohë para organizimit u bë një thirrje për kontribut, me platformën vijuese: Së pari, “Vepra letrare e Camajt”: çështje të tipologjisë, të ligjërimit, të lidhjes me traditën, të ligjërimit artistik, të veçorive stilistike, të kontributit për Shêjzat, për botën arbëreshe, të tekstit dramatik, të receptimit të veprës.
Së dyti, kontributi në fushën e gjuhësisë, duke u nisur nga kontributi për studimin e Mesharit të Buzukut, për gramatikën, etimologjinë e fonetikën historike të shqipes, dialektologjinë shqipe e arbëreshe, kritikën gjuhësore. Flitet edhe për veçoritë e gjuhës në veprën e Camajt. Fenomen i rrallë, ku shkrihen poeti e gjuhëtari.
Në përfundim të Konferencës, që zgjat vetëm një ditë, më 24 shtator 2010, pritet që presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi, t’i akordojë Martin Camajt titullin e lartë ‘Nderi i Kombit”.
Në hapje të veprimtarisë promovohet botimi, në 10 vëllime, i veprës së Martin Camajt, fryt i bashkëpunimit të Katedrës së Albanologjisë të Universitetit të Munihut me shtëpinë botuese “Onufri”, si dhe botime të tjera studimore për Camajn dhe veprën e tij.
Veprimtaritë e 24 shtatorit do të mbyllen me shfaqjen e një dramatizimi nga krijimtaria e Camajt, me skenar e regji të Stefan Çapalikut.
Pritet edhe që materialet e Konferencës të botohen nga Qendra e Studimeve Albanologjike, me drejtues shkencorë Profesor Asistent Ardian Marashi, Akademik Kolec Topalli e Profesor Enver Muhametaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.