2010-09-24 15:53:06

Dhurata për Martin Camajn


Kur në vitin 2005 zhvillohej në Munih konferenca kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Martin Camajt, themeluesit të katedrës së Albanologjisë pranë Universitetit Ludëig-Maximilian të Mynihut, një studente e mbylli tubimin duke premtuar një dhuratë-surprizë të veçantë që ish studentët dhe kolegët e tij albanologë do t'i bënin mbas pesë vjetësh.
Një vit më parë albanologëve u erdhi një thirrje nga prof. Bardhyl Demiraj, pasardhësi i Camajt në katedrën e Albanologjisë së Mynihut, me ftesën për të marrë pjesë në një vëllim me studime kushtuar kujtimit të shkrimtarit dhe gjuhëtarit të njohur shqiptar të mërgimit, i cili në vitin 2010 do të mbushte 85-vjetorin e lindjes.
Thirrjes iu përgjigjën 33 studiues nga vende të ndryshme të Evropës e të Amerikës, dhe sot, në vitin 2010, dhurata për Martin Camajn është gati, në formën e një libri me përmbledhje studimesh nga fusha të ndryshme të albanologjisë, me titull Wir sind die Deinen. Studien zur albanischen Sprache, Literatur und Kulturgeschichte, dem Gedenken an Martin Camaj (1925-1992) gewidmet ("Ne jemi të tutë. Studime për gjuhën, letërsinë dhe historinë kulturore të shqipes, kushtuar kujtimit të Martin Camajt (1925-1992)"), përgatitur për botim nga Bardhyl Demiraj, Shtëpia Botuese Harrassowitz, Wiesbaden.
Botuesi Demiraj jep edhe shpjegimin e vet për titullin e veçantë që ka zgjedhur: ky lidhet me një intervistë që Martin Camaj u dha gazetave shqiptare pak përpara se të ndahej nga jeta në vitin 1992, të cilën e mbyllte me fjalët: Unë jam i juaji, ju jeni të mitë, një shprehje që e bëri të njohur në atdheun e tij.
Synimi kryesor i kësaj përmbledhjeje është më tepër pasqyrimi i gjendjes së sotme të studimeve albanologjike në fushat e gjuhësisë, letërsisë dhe të historisë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë sidomos atyre çështjeve që iu përkushtua dikur edhe Martin Camaj gjatë karrierës së tij shkencore e letrare, si: gjuhësi diakronike dhe sinkronike, dialektologji, filologji e teksteve të letërsisë së vjetër shqipe, si edhe kritikë letrare dhe histori e kulturës shqiptare.
Lënda e vëllimit prej 600 faqesh është grupuar sipas problematikave që ofruan bashkëpunëtorët e tij me kontributet e tyre.
Nga fusha e bio-bibliografisë kanë dhënë ndihmesat e tyre Walter Breu dhe Hans-Jürgen Sasse me përshkrimin e studimeve të Camajt në fushat e ndryshme të gjuhësisë, si historia e shqipes dhe e shkrimit të saj, dialektologjia arbëreshe me punimet e shumta të tij për të folmet e ngulimeve shqiptare të Italisë, gramatika shqipe; Hans Joachim Lanksch me një portret të Camajt si poet; Christine Körner, një ish studente e Camajt, me kujtimet e punës së tij si udhëheqës shkencor; Jonida Xhyra-Entorf me një bibliografi të plotë të shkrimeve të Martin Camajt, të renditur kronologjikisht sipas tematikës. Në fushën e studimeve letrare, së pari Matteo Mandalà duke analizuar përmbledhjen e fundit lirike Palimpsest të Martin Camajt botuar pak para vdekjes, përpiqet të hedhë dritë mbi jetën njerëzore dhe botëkuptimin poetik të shkrimtarit.
Më pas Michael Schmidt-Neke sjell një kontribut të ri mbi një autor të harruar të vitit 1818, Gottlob Adolf Ernst von Nostitz und Jänkendorf, dhe eposin e tij për Skënderbeun me titull "Irene".
Shaban Sinani nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë, duke analizuar romanin "Dranja" sheston disa përsiatje me natyrë antropologjike të cilat i përkufizon si "rikodifikim i shenjës (simbolit) tradicionale të trashëgimit shpirtëror të popullit të tij" nga ana e autorit. Jonida Xhyra-Entorf del përsëri me një kontribut në këtë vëllim, këtë radhë me një studim krahasues që vë në dukje pikat e takimit mes Martin Camajt dhe poetit simbolist e futurist italian Giuseppe Ungaretti.
Fusha e gjuhësisë përmban edhe kontributet më të shumta të vëllimit. Francesco Altimari nga universiteti i Kalabrisë analizon disa gjurmë të paskajores së vjetër të shqipes në të folme të arbëreshëve të Italisë, duke u mbështetur në burime të shkruara dhe në të dhëna dialektore të sigurta. Mbi këtë bazë ai arrin në përfundimin se paskajorja ka qenë karakteristikë e shqipes së përbashkët, e cila ka zëvendësuar madje një "infinitiv sintetik" të lashtë të padokumentuar.
Nga fusha e dialektologjisë shqipe, qoftë të shqipes brenda kufijve shtetërorë qoftë të diasporës, janë paraqitur disa punime. Giovanni Belluscio e Monica Genesin në një punim të përbashkët përvijojnë një vështrim gjuhësor e kulturor mbi të folmen veriperëndimore të Thethit, mbas një hulumtimi të kryer në terren në vitin 2007.
Lumnije Jusufi, e porsadoktoruar me rezultat të shkëlqyer në Mynih, boton një pjesë të doktoratës së saj në fushën e dialektologjisë shqipe, me përshkrimin e një të folmeje gego-qendrore të izoluar në mes të një areali gjuhësor toskë në Maqedoni.
Albanologia nga Shën Peterburgu Larisa Kaminskaja paraqet një studim mbi disa veçori të sistemit fonologjik të së folmes shqipe të fshatit Gjeorgievka në Ukrainë, ngulim shqiptar i mesit të shek. XIX. Një fushë me interes dhe e pastudiuar sa duhet është ajo e studimit të gjuhës së folur, në bazë të dokumentimeve zanore të regjistruara.
Në këtë drejtim kanë punuar albanologët Walter Breu dhe Elvira Glaser, të cilët paraqesin në këtë vëllim regjistrimet më të vjetra zanore në gjuhën shqipe, të marra mes viteve 1907 dhe 1918 në tre vende të ndryshme (dy nga folës arbëreshë të Molises dhe një nga Gostivari) dhe që sot gjenden në Fonogramarkivën e Vjenës dhe në Arkivin Zanor të Berlinit.
Michiel de Vaan nga universiteti i Leidenit diskuton dy fjalë të shqipes së vjetër me një trajtë fonetike të pazakonshme: krautyrë (Pjetër Budi) dhe nautyrë (Frang Bardhi), duke përsiatur një ndikim të romanishtes dalmatine.
Ëilfried Fiedleri, duke u nisur nga koncepti i Camajt për ablativin e lokativin në gramatikën e tij të shqipes, ndërmerr një studim të gjerë për përdorimin e këtyre formave në veprën letrare të Camajt. Victor Friedman, nga universiteti i Çikagos, trajton një rast kalkimi nga maqedonishtja të përdorimit të habitores në shqipen e Maqedonisë si pasojë e kontaktit midis gjuhëve.
Nga fusha e informatikës gjuhësore, Besim Kabashi, nga Universiteti i Erlangenit, jep një analizë kompjuterike në rrafshin e morfologjisë e të sintaksës të tekstit të romanit të Martin Camajt "Rrathë". Në fushën e etimologjisë shqiptaro-ilire Rolf Ködderitzsch, profesor nga Boni në Universitetin e Tiranës, analizon etimologjikisht emrin e hyjnisë iliro-mesape Juppiter Menzanas duke dhënë shpjegime të reja semantike për emrin mëz që mendohet se lidhet me të.
Nga fusha historisë së gjuhës shqipe janë paraqitur disa kontribute gjuhësore. Seit Mansaku nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë paraqet një studim mbi tipologjinë dhe kronologjinë e formave të së ardhmes në shqipe.
Anila Omari analizon disa tipare arkaike në gjuhën e Pjetër Bogdanit (1685) duke i krahasuar me veçori të ngjashme në dialektet shqipe të skajit jugor dhe në gjuhën e teksteve më të vjetra arbëreshe e arvanitase, gjë që flet për një afërsi më të madhe të dy dialekteve kryesore të shqipes në një fazë më të vjetër, parashkrimore të saj. Kolec Topalli merr edhe një herë në vështrim çështjen e vjetërsisë së nyjave të shqipes.
Një numër prej tre studimesh është grupuar nën rrethin problemor të filologjisë e të historisë së shkrimit. Nga fusha e gjuhësisë së sotme Eda Derhemi nga Universiteti i Ilinoisit ia kushton studimin e saj çështjes së rihapur kohët e fundit të shqipes standarde dhe problematikës që lidhet me të në çastin aktual (2009).
Po nga kjo fushë studimi Rami Memushaj nga Universiteti i Tiranës paraqet një studim mbi planifikimin gjuhësor në vendet e Ballkanit, duke u përqendruar në dy modele kryesore të politikave gjuhësore në Gadishull: prirja divergjente ose centrifugale dhe prirja integruese.
Një studim të rëndësishëm, me prurje e interpretime të reja, sjell albanologu Joachim Matzinger nga Universiteti i Vjenës, mbi historinë e shkrimit shqip në epokën e Skënderbeut, ku vëmendja përqendrohet në shkrimet e para shqipe, Formulën e Pagëzimit të Pal Engjëllit dhe "Mesharin" e Gjon Buzukut.
Rrethi problemor i fundit përmbledh studime nga fusha e historisë e të kulturës popullore. Historiani Peter Bartl nga Mynihu ka paraqitur një punim mbi arsimin e priftërinjve në Veriun katolik të Shqipërisë në kohën e pushtimit osman. Atë Viktor Demaj nga Shkodra shkruan mbi jetën dhe veprën e Atë Donat Kurtit (1903-1983) si njohës dhe mbledhës i zakoneve dhe dokeve shqiptare.
Bardhyl Demiraj, përgatitësi i vëllimit, jep edhe kontributin e tij shkencor në vepër, me një studim ndërdisiplinor mbi përgjithësimin e emrit etnik "shqiptar" në shek. XVIII. Me gjithë shëndetin e rënduar, edhe profesori Shaban Demiraj nuk mungon të marrë pjesë në nderimin për Martin Camajn, me një vështrim historiko-onomastik mbi Nartën, një vendbanim greqishtfolës në mes të fshatrave me gjuhë amtare shqipen në Gjirin e Vlorës.
Studiuesi Willy Kamsi nga Shkodra në artikullin "Giammaria Biemmi dhe kritika" sjell fakte e hipoteza në apologji të historianit të Skënderbeut Giammaria Biemmi, i akuzuar nga kritikët si falsar.
Albanologu Aleksandër Novik nga Universiteti i Shën Peterburgut në artikullin "Etnonimi i shqiptarëve të Ukrainës dhe disa veçori të vetëdijes së tyre etnike" ka paraqitur rezultatet e ekspeditave vetjake në fshatrat shqiptare të Ukrainës për sa i përket etnonimit ose emrit me të cilin e njohin veten banorët e atjeshëm.
Vëllimi mbyllet me shkrimin e studiuesit Markus Peters "Institucionet arsimore të jezuitëve në Shkodër si sfond i formimit shpirtëror-fetar të Martin Camajt".
Numri i kufizuar prej 33 pjesëmarrësish në vëllimin përkujtimor natyrisht nuk përkon me shkallën e njohjes që gëzonte shkrimtari dhe gjuhëtari ynë në botën shqiptare e më gjerë, prandaj titulli i librit kompenson në njëfarë mënyre këtë kufizim dhe përfshin të gjithë ata që e njohin Martin Camajn dhe veprën e tij dhe duan ta nderojnë në këtë vit përkujtimor: Ne jemi të tutë.







All the contents on this site are copyrighted ©.