2010-09-24 15:05:45

Ambasadori i Kosovës në Romë, Prenkaj: Mons. Eleuterio Fortino, frymëzues e rrezatues i vlerave shpirtërore e kulturore


Miq të nderuar, takimi im i parë me Mons. Eleuterio Fortinon ishte vigjilja e Ditës së Flamurit Kombëtarë Shqiptar, data e 25 Nëntori,t në hapësirat e Kishës së Shën Atanasit në Romë, kur shoqata kulturore ‘Besa’ prezantoi veprën “Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe”.
Qetësia e këtij njeriu më la të kuptoj se brendapërbrenda fshihet një përvojë e hatashme që tejkalon kufijtë e një përkatësie fetare, kombëtare e territoriale. Dhe, me kohë mësova se Mons. Eleuterio Fortino kishte një bagazh tij jetësorë dhe të thirrjes së tij misionare që i dhanë autoritet të lartë në fushën ekumenike të botës krishterë të ritit Kishtar bizantin e romak.
Për botën arbëreshe e atë shqiptare, Mons. Eleuterio Fortino shënon një nga pishtarët e fundit të plejadës së profesor Ernest Koliqi, që ndriçoj botën arbëreshe këtu në Itali. Ai ringjalli kultivimin e traditës së vjetër arbëreshe, aktualizoi vlerat e mirëfillta të traditës dhe të kulturës arbëreshe-shqiptare. Ende është i gjallë kujtimi i shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut organizuar në Romë, atëherë kur Atë Eleuterio Fortino dha të kuptoj se është person i përmasave intelektuale universale e moderne, me rrënjë e vlera të thella.
Zulmëmadhi Monsinjor Fortino, tejkaloi kufijtë e komunitetit ortodoks arbëresh dhe atë të kulturës shqiptare. Duke ofruar përvojën e mirë të tij, bëri një punë të palodhshme në dialogun ekumenik mes Kishës Katolike dhe Kishave të riteve lindore e posaçërisht asaj ortodokse.
Prifti i shquar arbëresh, me nisma të shumta kulturore e shpirtërore, ishte edhe urëlidhës mes botës arbëreshe e shqiptare, duke dhënë kontribut tejet të çmuar për njohjen dhe afërmin vëllazëror mes shqiptarëve të të gjitha viseve.
Neve na mbetet që të vazhdojmë punën e tij në fushat tona të veprimtarisë, duke e mbajtur të gjallë kujtimin për të.
Arbëresheve të dashur, po ju përcjell porosinë: ruani farën arbëreshe, sepse siç e dëshmoj i dashuri ynë, Atë Eleuterio Fortino, kjo farë i shërbeu njerëzimit me punë të vogla në vepra të mëdha. Ishte frymëzues e rrezatues i vlerave shpirtërore e kulturore.
Në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës Sejdiu, të Kryeministrit Thaçi dhe në emër të popullit të Kosovës më lejoni ti shpreh ngushëllimet më të sinqerta të gjithë arbëreshëve kudo që janë, Kishës Ortodokse Arbëreshe, dhe në veçanti familjes së ngushtë Fortino.
I qoftë i lehtë dheu i Kalabrisë!
Pusho në Paqe mik i dashur i gjakut të shprishur arbëresh!
Albert Prenkaj
Ambasador i Republikës se Kosovës
pranë Republikës së Italisë







All the contents on this site are copyrighted ©.