2010-09-23 12:53:48

Çelësi i fjalëve të Kishës. Homazh imzot Eleuterio F. Fortinos: si mund të bashkëpunojnë fetë në Shqipëri


(23.09.2010 RV)Të dashur dëgjues, në ndryshim nga emisionet e tjera, sot nuk do të shpjegojmë kuptimin e ndonjë fjale të Kishës, por do të pasqyrojmë mendimin e një intelektuali të shquar si imzot Eleuterio Fortino, për bashkëpunimin ndërmjet feve në Shqipëri. Pjesa është marrë nga shkrimi i tij me titull “Feja dhe shoqëria”, botuar në librin “Papa në Shqipëri”, përgatitur nga kryeredaktori ynë, don David Gjugja.


Shkruan imzot Fortino: “Detyrat e feve në shoqërinë shqiptare, pavarësisht nga besimi i secilës prej tyre, mund të çojnë në një rol të përbashkët të paktën në tre fusha: trashendenca, etika dhe shoqëria”.

 
Përsa i përket trashendencës, imzot Fortino vinte në dukje se shoqëria shqiptare e kohës komunizmit e reduktoi njeriun vetëm në përmasën e tij materiale. Ana shpirtërore, “jo vetëm është injoruar, por është çligjëruar, i është bashkangjitur ambientit të përrallave e legjendave, apo fushës së supersticioneve të mbijetuara nga e kaluara”. Gjithashtu, vërente imzot Fortino, jeta është reduktuar vetëm në fazën e saj tokësore, nuk ka asnjë shpresë ringjalljeje, pasi Zoti nuk ekzistonte për komunizmin.
“Ndërsa fetë – shkruan imzot Fortino- si ajo e krishterë (katolike dhe ortodokse), ashtu edhe ajo islamike, i hapin njeriut horizontin e trashendencës. Njeriu është krijuar nga Zoti, jeton në Zotin, rilind për jetën e pasosur, rikthehet tek Zoti, i cili jo vetëm ekziston, por është Zot i mëshirës dhe i dashurisë. Zoti është në horizontin e njeriut, madje ndërhyn në mënyrë të mistershme në vetë historinë e njeriut. Për këtë hapje ndaj trashendencës mund të bashkëpunojnë fetë”.
Kërkimi i së vërtetës është i përbashkët për të gjitha fetë, nënvizon imzot Fortino, i cili, në shkrimin e tij, citon dekretin konciliar “Nostra Aetate”, ku Koncili II i Vatikanit konfirmon marrëdhëniet e mira të Kishës Katolike me fetë e tjera, të cilat, të gjitha e orientojnë jetën e njeriut drejt trashendencës, drejt hyjnores.
“Kjo hapje drejt hyjnores – thekson imzot Fortino – i jep domethënien e fundit jetës njerëzore dhe fatit përfundimtar të njerëzve. Prej saj vjen edhe pikpamja mbi njerëzimin si familje e Zotit dhe pikpamja mbi njerëzit si vëllezër të së njëjtës familje njerëzore”.
E më poshtë vijon: “Kjo pikpamje shpjegon edhe sjelljen e organizatave bamirëse katolike, si Karitasi, që interesohen për të gjithë njerëzit në nevojë, pa dallime. Tek ata shihet vëllai në vështirësi, vëllai që vjen nga Zoti dhe kthehet tek Zoti. Sigurisht, është më mirë ta bëjmë sëbashku këtë rrugë. Mund të shmangen disa gremina. Mund t’i tregohen njëri-tjetrit shtigjet e Zotit”.

Edhe në fushën etike, fetë mund të bashkëpunojnë pa probleme, shkruan imzot Fortino, duke përshkruar fillimisht shpërbërjen etike të regjimit komunist dhe çorientimin, që pasoi. “Mungesa e një ndërgjegjeje qytetare është fryt i drejtpërdrejtë i mungesës së formimit të ndërgjegjes vetjake, formim, i cili është i mundur vetëm nëse bazohet në parime të forta, të asimiluara në nivelin personal – denoncon arbëreshi i shquar. Edhe nga pikpamja kombëtare, mungesa e etikës duket nga dukuritë alarmuese të korrupsionit, të largimit në masë nga vendi… Shpërbërja etike sjell edhe shpërbërjen shoqërore”.
Pastaj vazhdon: “Fetë kanë një mesazh të madh etik për të ofruar, duke i zbuluar njeriut dinjitetin e vet, të drejtat dhe detyrat e veta themelore… Kjo vjen nga fakti se njeriu është krijuar sipas pamjes dhe shembëlltyrës së Zotit. E pikërisht prej këtej, rrjedhin të gjitha arsyet e dinjitetit, të drejtave dhe detyrave të tij… Fetë bien në një mendje përsa i përket parimeve bazë të etikës, që Jezu Krishti i ka përmbledhur në dy urdhëresa themelore: “Duaje Zotin tënd me gjithë zemër. Duaje të afërmin tënd si veten”. Nga këto dy urdhëresa varet i gjithë ligji dhe profetët (Mt 22,37-40)”.
E prej këndej rrjedh edhe etika shoqërore, analizon imzot Fortino: “Mbështetja e tillë tek e vërteta e përjetshme i jep etikës përmbajtje dhe qëndrueshmëri. Vizioni i përgjithshëm i njeriut – njësim jetësor i trupit dhe i shpirtit – që vjen nga konsiderata thellësisht fetare, gjeneron edhe një qëndrim të përbashkët kundrejt problemeve kyçe të shoqërisë së sotme, si ato të lidhura me kontrollin e lindjeve, me problemin e abortit dhe të eutanazisë e në përgjithësi, me problemin e jetës dhe të dinjitetit të saj”.

Fusha e tretë e bashkëpunimit ndërmjet feve, sipas imzot Fortinos, është ajo shoqërore. Qysh Koncili II i Vatikanit u bën thirrje të krishterëve dhe myslimanëve të harrojnë ndarjet e problemet e kaluara dhe të mbrojnë e të përkrahin sëbashku drejtësinë shoqërore, vlerat morale, paqen e lirinë për të gjithë njerëzit. “Pas periudhës së monologut marksist – shkruan imzot Fortino – Shqipëria ka nevojë pikërisht për një dialog shumëpërmasor, në mënyrë që asnjë zë të mos mbetet i pashprehur dhe asnjë mundësi njerëzore, e shtypur. Për një Shqipëri moderne, me rolin e vet në bashkësinë e popujve evropianë, nevojitet pjesëmarrja e të gjithëve për të krijuar një perspektivë dinamike”.
Që kjo të sjellë fryte duhet formuar brezi i ri, formim, që sipas imzot Fortinos, duhet bazuar në dy shtylla: në identitetin fetar të njeriut dhe në qëndrimin e dialogut e të bashkëpunimit.
“Krijimi i një mentaliteti të tillë – shkruan akoma meshtari i madh arbëresh – kërkon reciprocitet. Kërkon pra, që edhe pala tjetër të bëjë përpjekje për të kuptuar krishterimin dhe dialogun…Krijimi i një mentaliteti të tillë presupozon kontaktin e rregullt ndërmjet përgjegjësve të bashkësive fetare… Kjo sjellje zbulon në praktikën e përditshme, pikën e referimit të përbashkët në një Zot të vetëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.