2010-09-23 16:44:47

Presidenti Obama në OKB: Për sigurinë e Izraelit nevojitet një shtet palestinez i pavarur.


(23.09.2010 RV)Kryetarët e shteteve që këto ditë ishin mbledhur në Pallatin e Qelqtë në Nju Jork për të diskutuar për zbutjen e varfërisë dhe të urisë nëpër botë, do t’i vazhdojnë diskutimet në Asamblenë 65 të Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, që nisi sot.
“Siguria e Izraelit kalon nëpërmjet krijimit të një shteti të pavarur palestinez.” Kështu u shpreh presidenti amerikan Barak Obama në fjalimin e tij përpara asamblesë duke theksuar planin e njohur “dy popuj, dy shtete”. Është ky një projekt që mund të konkretizohet brenda vitit të ardhshëm. OKB-ja është e gatshme të pranojë në gjirin e saj një shtet të ri, atë të Palestinës. Po, e gjitha kjo kërkon që më parë të arrihen disa marrëveshje për paqën në kuadrin e bisedimeve të drejtëpërdrejta ndërmjet Izraelit dhe Autoritetit Palestinez nisur në fillim të muajit.
Administrata amerikane e vlerëson lart impenjimin dhe guximin e presidentit palestinez Abu Mazen, i cili pikërisht dje njoftoi se do t’i vazhdojë bisedimet, ndonëse Izraeli nuk do ta pezullojë ndërtimin e ngulimeve të reja në Cisjordani. Nga ana tjetër, Presidenti Barak Obama i kërkoi mbështetësve të palestinezëve t’iu japin fund përpjekjeve të tyre për cënimin e ligjshmërisë të shtetit hebraik. Duket se këtu presidenti amerikan e kishte fjalën për Iranin. Nga ana e vet, presidenti iranian Ahmadinexhad ka pohuar shumë herë se vendi i tij nuk është i interesuar për armë bërthamore, duke shpjeguar se kërcënimi i vërtetë janë armët bërthamore të SHBA-ës dhe të Izraelit. Kjo temë e nxehtë, ishte sot në diskutim edhe në mbledhjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore që u zhvillua në Vjenë, ku u mor në shqyrtim kërkesa e disa vendeve arabe, të cilat i kërkojnë Izraelit të nënshkruaj Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.







All the contents on this site are copyrighted ©.