2010-09-23 16:23:16

OKB: Mbyll punimet Takimi i nivelit të lartë për luftën kundër varfërisë. Jepen 40 miliardë dollarë. Të shumta pakënaqësitë.


(23.09.2010 RV)U mbyll sot në Pallatin e Qelqtë, në Nju Jork, takimi i nivelit të lartë kushtuar luftës kundër varfërisë dhe urisë në botë. Pjesëmarrësit u impenjuan të japin 40 miliardë dollarë brenda viti 2015 për t’i shpëtuar jetën 16 milionë grave dhe fëmijëve që vuajnë pikërisht nga këto plagë të rënda të botës moderne.

Të gjithë ishin dakord, - me në krye SHBA dhe Bashkimin Evropian, donatorët më të mëdhenj, - që këto ndihma të jenë më efikase, të synojnë botën e sipërmarrjes dhe vendet që i përfitojnë të tregojnë më shumë përgjegjësi në mbarështimin e tyre.
Sidoqoftë, një nga hallkat më delikate të këtij dokumenti përfundimtar është çështja që lidhet me kontrollin e lindjeve, përfshi prezervativin dhe barnat kundër shtatzanisë.

Mbi të gjitha aborti në këtë dokument të ndihmës 40 miliard dollarëshe, shihet si mjet për të ulur numrin e shtatzanive të padëshiruara ose që paraqesin rrezikshmëri. Pikërisht për këtë arsye, kryetari i delegacionit të Selisë së Shenjtë në këtë takim, kard. Peter Turkson, në fjalën e tij, në ditën e hapjes së punimeve, theksoi se duhet zhdukur varfëria dhe jo të varfërit.

Çështja e kontrollit të lindjeve ka shkaktuar përçarje në vendet anëtare të OKB-së. SHBA, të cilat në kohën e presidentit Xhorxh W. Bush kishin vendosur të mos iu japin ndihma organizatave joqeveritare që praktikojnë abortin edhe në vendet në zhvillim e sipër, tani, me Barak Obamën kanë ndryshuar politikë dhe përkrahin abortin. Në rresht të parë, pro abortit, është sekretarja e shtetit Hilari Klinton.

Po, ky problem pati përfunduar edhe në tavolinën e bisedimeve të Grupit 8, në qershorin e kaluar, mbajtur në Kanada. Vetë kryeministri kanadez Stiven Harper pati nisur një fushatë kundër abortit, duke përkrahur zhillimin pra, por jo abortin, fushatë kjo që i pati zemëruar SHBA dhe Britaninë e Madhe.
Po ashtu, përveç Selisë së Shenjtë, kundër mbështetjes financiare për abortin në këtë dokument zyrtar të Kombeve të Bashkuara, janë shprehur edhe vendet afrikane, në veçanti ato me popullsi myslimane.

E ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun shprehu kënaqësi për dhënien e 40 miliardë dollarëve ndihmë vendeve në zhvillim e sipër dhe presidenti amerikan Barak Obama shpalli strategjinë e re të vendit të tij për politikat që duhen ndjekur për shpërndarjen e ndihmave, organizatat joqeveritare të cilat kërkonin impenjim më të madh në luftën kundër varfërisë dhe urisë, mbetën të zhgënjyera. Po cila është arsyeja? Në mikrofonin tonë flet ekonomisti dhe drejtori i fondacionit “Drejtësi dhe solidaritet” Rikardo Moro:

Përgjigje: [...] Lajmi i 40 miliardë dollarëve është një lajm i mirë por duhet parë bashkë me faktin tjetër se ka shumë vjet që duhet të japin si ndihmë të paktën 150 miliardë dollarë, dhe arrijmë të japim shumë-shumë 120. Prandaj kjo shumë që u dha, vetëm sa e kompenson disi vonesën tonë. Sigurisht nuk mjafton të japësh ndihma. Është e nevojshme të nisin proceset e zhvillimit....

Pyetje: Plani i OKB-së përkrah edhe uljen e vdekshmërisë foshnjore dhe të nënës. Po, sipas jush, cila është arsyeja, që u zgjodh tema e planifikimit të lindjeve?

Përgjigje: Në disa raste dhënia e ndihmave është bërë nëpërmjet mënyrave të kontrollimit të lindjeve, të cilat, mendoj se nuk e respektojnë dinjitetin e jetës. [...] Duhet, pra të punojmë e të vigjëlojmë që këto ndihma të arrijnë atje ku respektohet shenjtëria e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.