2010-09-23 08:21:45

Ndërroi jetë arkimandriti mons. Eleuterio F. Fortino, prift arbëresh, gjigand i ekumenizmit, bir i ndritur i Arbëreshëve


Me hidhërim të thellë, japim lajmin e largimit nga kjo jetë të Arkimandritit arbëresh mons. Eleuterio Francesco Fortino. Zemra e tij pushoi së rrahuri mbrëmë rreth orës 20.00 në poliklinikën Torr Vergata në Romë, pas një sëmundje të gjatë. Mons. Fortino, arbëresh nga San Benedetto Ullano, jetonte në Romë e Vatikan prej vitit 1965 ku punoi më detyra të ndryshme, ndër to po përmendim punën më se 25-vjeçare si protagonist i dialogut ekumenik dhe rolin e zëvendëssekretarit të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve.
Figurë poliedrike, mons. Fortino meshtar i ritit bizantin, gëzoi nderimin dhe respektin e të gjithëve pa dallim, pa përjashtim. Njohës i thellë i teologjisë, i spirtualitetit e i kulturës, predikatar e komunikues i jashtëzakonshëm, i përzemërt e mikpritës, kultivues e urë lidhës i marrëdhënieve mes njerëzve, Kishave e kulturave, mons. Fortino gjatë veprimtarisë së tij të shkëlqyeshme që zhvilloi në Romë e në Vatikan, dha një kontribut prej protagonisti tejet të rëndësishëm për dialogun ekumenik të Kishave, për mbarë komunitetin e Arbëreshëve të Italisë si dhe për popullin shqiptar në përgjithësi.
Falë punës së tij e largpamësisë që kishte, themeloi në Romë rrethin kulturor të Arbëreshëve të Italisë “Besa” duke e bërë Kishën e Shën Atanazit, ku shërbente, pikë referimi për të gjithë besimtarët e krishterë arbëresh të Romës e për të shqiptarët pa dallim. Shtëpia e tij ishte gjithmonë e hapur. Edhe pse prej vitesh nuk jetonte më në vendet arbëreshe, diti t'i mbante të gjalla marrëdhëniet me Eparkinë e Ungros e të Horës së Arbëreshëve, si dhe me Kishën Katolike e atë Ortodokse të Shqipërisë, me Kosovën e me diasporën shqiptare e të gjitha anëve.
Gjatë veprimtarisë së tij të frytshme, ka botuar shumë shkrime, ndër to po përmendim qarkoren “Besa” e pesëdhjetë “Sussidi catechetici” – “Libra katekizmi”, librin “Kisha bizantine arbëreshe e Kalabrisë”. Tema e njërit prej vëllimeve të fundit të kësaj serie, “Epèktasis” – “gjithmonë të prirë përpara”, thirrja e krishterë sipas Shën Gregorit nga Nisa, është njëkohësisht sintezë e modus operandi i Arkimandritit Fortino e një mesazh drejtuar komunitetit të arbëreshëve e të gjithë shqiptarëve që kanë për detyrë ta ruajnë kujtimin e tij të përjetshëm si thirrje për të “qëndruar gjatë udhës” drejt Amshimit.
Me të gjitha angazhimet që kishte në nivelin e Kishës Universale e në fusha tjera të veprimtarisë së tij teologjike, kishtare e kulturore, mons. Eleuterio Fortino, me bashkëpunimin e tij të çmueshëm ka nderuar e pasuruar edhe Programin Shqip të Radio Vatikanit, që ruan në arkiv biseda e intervista të tij me vlerë.
Megjithëse i lodhur prej vuajtjeve fizike shkaktuar nga sëmundja, atij nuk i mungonte kurrë buzëqeshja, fjala e ngrohtë dhe e përzemërt me këdo që takohej.
I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o i lumturi dhe i përkujtuari vëllai ynë.
Eonìa su i mnìmi, axiomakàriste ke aìmniste adhelfe imòn.







All the contents on this site are copyrighted ©.