2010-09-23 16:18:20

In memoriam:
imzot Eleuterio Fortino
Ngjallu o Zot e gjykoje botën me dashuri


Banorët e Romës, që ngrihen herët në mëngjes për të bërë një shëtitje, të dielave, në qendër të qytetit, në rrugën Babuino, e gjejnë gjithnjë hapur kishën e Shën Athanasit, e deri pak javë më parë, nëse hynin, ndeshnin edhe vështrimin buzagaz e mikpritës të një meshtari, që i ftonte të rrinin për kremtimin e Liturgjisë Hyjnore. Ai ishte imzot Eleuterio Françesko Fortino, arkimandrit i eparkisë së Lungros në Kalabri, nënsekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve.
Lindur më 2 prill 1938 në San Benedeto Ulano të Kalabrisë, më 3 tetor 1958 hyri si seminarist në Kolegjin Papnor Grek, ku vazhdoi studimet për filozofi e teologji deri sa u diplomua në vitin 1964. Më 24 nëntor 1963 u shugurua meshtar. Që në ditët e para të Sekretarisë së atëhershme për Bashkimin e të Krishterëve, bashkëpunoi ngushtë në punën për dialogun vëllazëror e teologjik me Kishat e ndryshme të krishtera, jo katolike, sidomos me ato lindore të traditës bizantine.
Gjatë viteve, që jetoi e bashkëpunoi me Kolegjin Papnor Grek, dolën në pah cilësitë e tij njerëzore e kristiane. Të bënte përshtypje aftësia e tij për ta parë gjithnjë pozitivisht realitetin e Kishave të krishtera, institucionet, faktet, personat, edhe në çastet më delikate të dialogut e madje, edhe të ndeshjes. Ky pozitivitet lindte nga shpresa dhe vetëdija se përpjekjet njerëzore për të arritur në takimin ndërmjet njerëzve e ndërmjet Kishave janë gjithnjë të udhëhequra nga Dikush tjetër, i cili, kur dhe si të dojë, do të na çojë drejt asaj “ut unum sint” (që të gjithë të jenë një).
Dallohej menjëherë tek ai, dashuria për Kalabrinë, nganjëherë e mundimshme, e sidomos afërsia me eparkinë e Lungros, nga vinte. Pavarësisht nga distanca fizike dhe nga puna impenjative në Romë, e ndjente afër dhe ndiqte me interes të përditshëm jetën e saj. Përkushtimi i tij u duk qartë në përgatitjen dhe kremtimin e Sinodit II Ndëreparkial në Grotaferrata, mes viteve 2004 e 2005. Ishte i sigurtë për rëndësinë e këtij takimi kishtar për jetën, vazhdimësinë e mbijetesën e tri realiteteve kishtare lindore në Itali: eparkia e Lungros, Hora e Arbëreshëve dhe manastiri hekzark i Grotaferratës.
Përgatiste e kremtonte me dashuri Liturgjinë e traditës bizantine dhe përpiqej ta bënte të njohur përmes botimeve, që u drejtoheshin sidomos atyre, që nuk ishin të traditës bizantine, por që frekuentonin kishën e Shën Athanasit në Romë, veçanërisht në çastet e mëdha të vitit liturgjik: në Javën e Madhe e në Krishtlindje. Disa prej këtyre kremtimeve i përjetonte në një mënyrë krejt të veçantë, krejtësisht të vetën.
Për shembull, kremtimi i ngjalljes së Lazrit, kur pas Mbrëmësores, mblidheshin seminaristët dhe eprorët e Kolegjit Papnor Grek, me miq të tjerë të bashkësisë, për të kënduar “kalimera”-t e Lazrit në gjuhën arbëreshe. Janë vargje që, me bukurinë e tyre poetike, sikur e shtyjnë me forcë Lazrin jashtë varrit dhe krijojnë një ndjenjë të thellë pjesëmarrjeje tek ata që i këndojnë. Pavarësisht nga vuajtjet dhe lodhja për sëmundjen, buzëqeshja dhe sytë e mallëngjyer nga emocioni të imzot Eleuterios bënin gjithnjë përshtypje.
I njëjti emocion, në mbrëmjen e së Dielës së Larit, kur imzot Fortino mbante ikonën e Krishtit dhëndërr në takimin dasmor me Kishën e tij. Apo në mbrëmësoren e së Shtunës së Madhe, që kremtohet në mëngjesin e kësaj dite, gjatë së cilës tradita bizantine na fton të shijojmë gëzimin e Pashkëve, imzot Fortino këndonte me shpirt Psalmin 81: “Ngjallu o Zot, gjykoje tokën…” ndërsa e mbushte kishën me gjethet e dafinës, në pritje të “ditës së gëzueshme, që e bëri Zoti”, për të kënduar me hare: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje e mposhti vdekjen, dhe të vdekurve në varre u dha jetën”.
I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o vëllai ynë i paharruar, i denjë për lumni. Amin!







All the contents on this site are copyrighted ©.