2010-09-23 16:22:02

Imzot Balestrero në konferencën e përgjithshme të Agjencisë për Energjinë Bërthamore: “Paqja dhe siguria janë të mundura edhe pa armët bërthamore.”


Ëndrra e një bote të lirë, pa armë bërthamore është çdo ditë e më pranë nesh, falë kjo edhe veprimtarisë së Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, e cila i ka themelet tek teknologjia, siguria dhe verifikimi. Sidoqoftë, janë të shumta sfidat që do t’i duhet të përballojë në të ardhmen siç vuri në dukje në Konferencën 54 të kësaj organizate mbajtur në Vjenë, Nënsekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Etore Balestrero.

Inkurajim për përpjekjet që bashkësia ndërkombëtare po bën për çarmatimin e vazhdueshëm dhe braktisjen e armëve bërthamore, “të cilat përbëjnë kërcënim për jetën e planetit tonë dhe për procesin e zhvillimit të plotë të njerëzimit të tashëm e atij të ardhshëm edhe vetëm me praninë e tyre.” Me këto fjalë të mesazhit të Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të Paqës 2010, imzot Etore Balestrero lavdëroi veprimtarinë e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, mbledhur në Konferencën 54 të përgjithshme në Vjenë.
Selia e Shenjtë nënvizon rëndësinë e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, si “i vetmi mjet ligjor shumëpalësh në përdorim, i cili ka si synim një botë të lirë pa armë bërthamore.” dhe thekson se duhet t’i jepet përparësi absolute ratifikimit të Protokolleve të traktateve mbi zonat e lira prej armëve bërthamore, nga ana e të gjitha shteteve.

Në veçanti, Nënsekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, përmendi Lindjen e Mesme, duke uruar që kjo zonë të bëhet një zonë e lirë nga armët bërthamore, si “shembulli më i mirë i besimit, i bindjes dhe i pohimit se paqja dhe siguria janë të mundura edhe pa armët bërthamore.

” Selia e Shenjtë, shtoi pastaj prelati, kujton se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore është një pikë referimi e pazëvendësueshme për bashkëpunimin ndërkombëtar në përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime humanitare, për zhvillimin e plotë të njeriut dhe për përballimin e sfidave të mëdha në botë si uji i pijshëm, studimi i ushqimit të pamjaftueshëm tek fëmijët, diagnostikimi dhe kurimi i sëmundjeve, nëpërmjet radioterapisë për kancerin, për shembull. Kjo agjenci, pra, jep ndihmesë për “paqën, shëndetin dhe përparimin” duke pasur si parim “ekologjinë njerëzore”, - përfundoi Imzot Balestrere, - kusht paraprak për zhvillimin e mirë, të cilin e Papa Gjon Pali II e kishte aq për zemër.
“ Ndërsa përpiqemi, me të drejtë, të ruajmë habitatet natyrore, jemi tepër pak të impenjuar në mbrojtjen e kushteve morale të “ekologjisë së vërtetë njerëzore” shkruante Papa Vojtila në enciklikën “Centesimus annus”.







All the contents on this site are copyrighted ©.