Papa në audiencën e përgjithshme: vizita në Mbretërinë e Bashkuar konfirmon se Evropa
e ka shpirtin e krishterë
(22.09.2010 RV)Një udhëtim historik për të ripohuar se Evropa ka shpirt të
krishterë: kështu e përshkroi Papa udhëtimin e tij në Mbretërinë e Bashkuar, në audiencën
e përgjithshme të paradites, që u mbajt në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Benedikti
XVI përshkoi çastet kryesore të vizitës, e cila arriti kulmin me lumnimin e kardinalit
Xhon Henri Njuman, të dielën e kaluar në Birmingam. Ati i Shenjtë bëri edhe një thirrje
në favor të dialogut ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, me rastin e një takimi të
rëndësishëm në Vienë.
Papa nënvizoi
se vizita në Mbretërinë e Bashkuar shënoi një hap të ri të rëndësishëm në marrëdhëniet
ndërmjet popullit britanik e Selisë së Shenjtë. Zemra e britanikëve dhe jeta e tyre,
vërejti Ati i Shenjtë, janë gati të pranojnë Zotin e feja në këtë vend ka mënyra të
ndryshme shprehjeje: “Ky udhëtim apostolik konfirmoi bindjen time të thellë
se kombet e lashta të Evropës e kanë shpirtin të krishterë, e ai është një gjë e vetme
me “gjeninë” dhe historinë e këtyre popujve. Kisha nuk resht së punuari për ta mbajtur
gjallë këtë traditë shpirtërore dhe kulturore”. Papa theksoi se gjatë udhëtimit
në Mbretërinë e Bashkuar, deshi sidomos të inkurajojë bashkësinë katolike, duke i
folur zemrës së njerëzve, pa përjashtim, për realitetin e vërtetë të njeriut, për
nevojat e tij më të thella, për fatin e tij të fundmë. Benedikti XVI kaloi nëpër etapat
kryesore të vizitës, duke filluar nga dita e parë në Skoci për të vazhduar me takimin
me mbretëreshën Elizabeta II në Edinburg dhe me Meshën në Belahjuston Park të Glasogut: “Asaj
asambleje liturgjike, të mbledhur në një lutje, që dukej edhe më solemne nga meloditë
tradicionale dhe këngët e bukura, i kujtova rëndësinë e ungjillëzimit të kulturës,
sidomos në epokën tonë, kur relativizmi kërcënon të errësojë të vërtetën e pandryshueshme
mbi natyrën e njeriut”. Më pas, foli për dy ditët londineze, që filluan me
fjalimin drejtuar botës së edukimit katolik, me të cilin i këshilloi të rinjtë të
mos ndjekin objektiva të kufizuara, por të shohin lart: lumturia e vërtetë gjendet
në Zotin. Papa përmendi edhe takimin me krerët e feve të tjera. Për t’u kujtuar, sidomos
fjalimi i Atit të Shenjtë në Uestminster Holl, që i drejtohej shoqërisë britanike: “Në
këtë vend kaq me prestigj nënvizova se feja, për legjislatorët, nuk duhet të përfaqësojë
një problem për të zgjidhur, por një faktor, që kontribuon gjallërisht në rrugën historike
e në debatin publik të kombit, në veçanti, duke nënvizuar rëndësinë thelbësore të
bazave etike për vendimet në sektorë të ndryshëm të jetës shoqërore”. Papa
nuk harroi kremtimin ekumenik në Abacinë e Uestminsterit, çast i rëndësishëm ky për
marrëdhëniet ndërmjet Bashkësisë katolike e asaj anglikane. Më pas përmendi veçanërisht
të rinjtë e takuar pas meshës në katedralen e Uestminsterit. Me entuziazmin dhe vëmendjen
e tyre, ata treguan se duan të jenë protagonistë të epokës së re të dëshmisë së guximshme,
të solidaritetit me fakte, të impenjimit bujar në shërbim të Ungjillit, tha Benedikti
XVI, që foli më pas për viktimat e abuzimeve seksuale të klerit: “Pak më vonë,
u takova edhe me një grup profesionistësh e vullnetarësh përgjegjës të mbrotjes së
të rinjve e fëmijëve në ambiente kishtare, një aspekt veçanërisht i rëndësishëm dhe
i pranishëm në impenjimin baritor të Kishës. I falenderova dhe i inkurajova të vazhdojnë
punën, që ndërthuret me traditën e Kishës në kujdesin për respektimin, edukimin dhe
formimin e brezave të rinj”. Së fundi, Papa kujtoi kulmin e vizitës së tij
në Mbretërinë e Bashkuar, lumnimin e kardinalit Njuman në Birmingam, i cili u parapri
nga lutja e mbrëmjes në Hajd Park: “Besimtarëve të shumtë, sidomos të rinjve,
desha t’iu propozoj figurën e ndritur të kardinalit Njuman, intelektual e besimtar,
mesazhi shpirtëror i të cilit mund të sintetizohet në dëshminë se ndjekja e ndërgjegjes
nuk do të thotë të mbyllesh në vetvete, por do të thotë të hapesh, të kthehesh e të
dëgjosh Atë, që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta”. Papa uroi që ky shkrimtar
e poet i shquar, njeri i ditur i Zotit, të njihet përmes shkrimeve të tij, që e ruajnë
aktualitetin edhe sot. Pas katekizmit, Benedikti XVI kujtoi se kësaj jave, zhvillohet
në Vienë, mbledhja plenare e Komisionit të Përzier Ndërkombëtar për dialogun teologjik
ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj ortodokse. Takimi ka në qendër rolin e ipeshkvit
të Romës në bashkimin e Kishës universale, për të cilin Papa bëri një thirrje të zjarrtë:
“Bindja ndaj vullnetit të Jezu Krishtit, Zotit tonë, dhe konsiderimi i sfidave të
mëdha, që paraqiten sot para krishterimit, na detyrojnë të impenjohemi seriozisht
në çështjen e rivendosjes së bashkimit të plotë ndërmjet Kishave. I këshilloj të gjithë
të luten intensivisht për punimet e Komisionit e për zhvillimin e konsolidimin e vazhdueshëm
të paqes e mirëkuptimit ndërmjet të pagëzuarve, në mënyrë që të jemi në gjendje t’i
japim botës një dëshmi ungjillore gjithnjë e më të vërtetë”.