Luftimi i mjerimit e jo lufta ndaj të varfërve. Rezoluta e paraqitur në OKB mbi gratë
e fëmijët rrezikon të mbështes përdorimin e abortit.
Samiti i Kombeve të Bashkuara mbi varfërinë.Pas njoftimit bërë nga sekretari i përgjithshëm
i OKB-së Ban Ki-moon për shumën e caktuar prej 40 miliardë dollarësh për përmirësimin
e kushteve shëndetësore të grave e fëmijëve në botë, punimet e samitit mbi objektivat
e mijëvjeçarit organizuar në Nju Jork në kuadrin e sesionit përurues të Asamblesë
së 65-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, po i afrohen përfundimit. Ban
Ki-moon tha se shuma e financave është mbledhur përmes donacioneve të Qeverive, shoqatave
e individëve bamirës e shprehi kënaqësinë për rezultatin e arritur. “ E dimë se çka
duhet – tha ia – për të shpëtuar jetën e grave e të fëmijëve dhe dimë se sa të vështira
janë kushtet e tyre, në krahasim me standardet e objektivave të mijëvjeçarit. Sot
jemi dëshmitarë të natyrës së atij lidershipi për çka kemi nevojë”. Në tekstin
e rezolutës që do ti nënshtrohet sot Asamblesë së përgjithshme, pranë angazhimit që
synon reduktimin e vdekshmërisë së fëmijëve e atë të grave gjatë lindjes apo për komplikime
të shtatzënisë, “nuk mungon as keqinterpretimi e keqpërdorimi i abortit si metodë
e planifikimit familjar, çka është kundër ligjit natyror, siç tha kardinali Peter
Turkson, president i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe e kreu i delegacionit të
Selisë së Shenjtë në këtë samit. Kujtojmë se në punime të samitit të Kombeve të
Bashkuara mbi varfërinë në Nju Jork marrin pjesë 140 udhëheqës nga Vendet e pasura
dhe të varfra për ta rishikuar përparimin e bërë në drejtim të arritjes së Synimeve
të Mijëvjeçarit. Në mesin e folësve të sotëm do të jenë presidenti amerikan, Barak
Obama dhe kryeministri i Kinës, Ven Xhiabao. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha
dje se Vendet duhet të marrin përsipër zhvillimin e tyre dhe të pushojnë së mbështeturi
në shtrirjen e dorës.